Kurti: Beogradi na akuzon neve për Shqipërinë e Madhe për të krijuar vetë Serbinë e Madhe

Kryeministri Albin Kurti para eurodeputetëve ka theksuar se dialogu me Serbinë për Kosovën është i rëndësishëm, por se ai duhet bërë duke u bazuar në vlera dhe parime dhe jo në logjikën e dhënies apo marrjes së diçkaje.

Duke folur për dialogun, Kurti ka përmendur edhe çështjen e Shqipërisë së Madhe dhe shtoi se koha e vizatimit të kufijve i takon shekullit të kaluar.

“Nuk besoj se mund të ketë zgjidhje ku liderët pretendojnë të jenë gjeneralë dhe ushtarakë në Luftën e Parë Botërore me ato lapsat e paprehur mbi harta ku vizatohen kufijtë dhe ridizajnohet Ballkani Perëndimor. Kjo kohë ka shkuar në shekullin e kaluar”.

“Shqipëria e Madhe ka ekzistuar për ca vjet gjatë Luftës së Dytë Botërore, kështu Beogradi po dëshiron të na akuzojë neve duke u përpjekur të krijojë Serbinë e Madhe. Kështu që në fund ne marrim emrin dhe etiketën dhe ata marrin territorin”.

Kurti tha se përpara normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të dyja vendet duhet të normalizojnë veten e tyre.

Për Serbinë, Kurti tha se ka probleme me ballafaqimin me të kaluarën dhe demokracinë.

“Megjithatë dialogu s’ka alternativë duhet të ulemi dhe të diskutojmë dhe të zgjidhim çështjet e hapura”.

Ndërkaq, për publikimin e “non-papers”, Kurti ka thënë se janë mendime që mbështillen si lajme dhe përpiqen që të përhapin dhe të imponojnë rrethana dhe interesa të caktuara.

Gjithashtu duke i quajtur si dokumente pa autorë, Kurti tha se ka mungesë të autorëve pa dokumente që do të sillnin ide për zgjidhje të problemeve në Ballkanin Perëndimor.

“Dialogu duhet të ketë vlera dhe parime që duhet të na udhëzojnë rrugën tonë. BE është projekti më i rëndësishëm që mund të na ofrojë këto vlera dhe  parime. Na duhen autorë me dokumente nga politikanë dhe diplomatë të këtij procesi”.

Kurti ka thënë se për shembull duhet caktuar një vit kur Ballkani Perëndimor mund të bëhet pjesë e BE-së, pas së cilit projekt mund të punojnë popujt.

“Çdoo realitet fillon me një ëndërr. Është dëshpëruese nëse largohemi nga BE pa një ëndërr drejt së  ardhmes”.