Kryeministri në detyrë Albin Kurti pati befasuar publikun për këshilltar të tij në fillim të mandatit emëroi një shtetas amerikan për të cilin thuhet se është me prejardhje kineze.
Emri i tij është Tienmu Ma.
Ballkani.info merr vesh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është duke ushtruar presion ndaj Kushtrim Halitit, drejtuesit të Divizionit për të Huaj në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme që këshilltarit të tij, Tienmu Ma, t’i jepet leja e qëndrimit.
Tienmu Ma, si këshilltar i kryeministrit, ai ka qasje të plotë në të gjitha dokumentet shtetërore të zyrës së kryeministrit, duke përfshirë edhe dokumentet e klasifikuar.
Kush është Tienmu Ma:
Në raportimin e vitit të kaluar në komisionin Ad Hoc të Kuvendit të Kosovës për dëbimin e gjashtë gylenistëve nga Kosova, presidenti Hashim Thaçi, kishte refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të Komisionit Hetimor Parlamentar, pasi thoshte se i druhet ekspertit të huaj ligjor të angazhuar nga Komisioni.
Thaçi aludonte në ekspertin ligjor, amerikani Tienmu Ma, i cili aso kohe ishte këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje. Pati thënë se Tienmu Ma është i afërt me Sami Kurteshin, aso kohe anëtarin e Komisionit Hetimor për “Gylenistët”.
“Instistoj. Eksperti ndërkombëtar, a e ka aprovimin e ndonjë zyre ligjore të Kuvendit të Kosovës? A lejohet për t’u angazhuar ky ekspert ligjor, mbi ç’bazë e keni angazhuar ju? Tashmë doli që është i preferuar i zotit Kurteshi, mik i zotit Kurteshi dhe këshilltar i një partie politike që e përfaqëson Samiu”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, Kurteshi ka thënë se Tienmu Ma është doktorant i universiteteve të Yale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe atij të Lucernit në Zvicër.
Tienmu Ma punonte prej vitesh si këshilltar ligjor në institucionin e Avokatit të Popullit, udhëheqës i së cilit kishte qenë Kurteshi disa vite më parë.
“Eksperti është Tienmu Ma, që ka punuar si këshilltar i Avokatit të Popullit. Është doktorant i Universitetit ‘Yale’ në SHBA dhe doktorant i Universitetit të Lucernit. Tienmu Ma, ende është ekspert i Avokatit të Popullit dhe është përpilues i raporteve si ato për rrymën në veri apo të tjera të cilat ju i lexoni”, pati thënë Kurteshi. /Ballkani.info/







