Kurti befasisht mbron Sveçlën për takimin me Gjuriqin, njeriun e Vuçiqit që bashkë mohuan masakrën e Reçakut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar fotografinë e shumëpërfolur të Xhelal Sveçlës në tavolinë me Marko Gjuriqin.

Fotografia që kishte qarkulluar të dielën ishte kritikuar shumë duke i përmendur anëtarit të LVV-së kritikat e tij për takimet e politikanëve të tjerë me zyrtarë të Serbisë.

Vetë Sveçla kishte thënë se kundërshtarët e LVV-së kanë shpërndarë fotografinë.

Kurti në një intervistë në “Jeta në Kosovë”, nuk e konsideroi gabim këtë takim.

“Çdo kund marrim pjesë edhe aktivistët e Vetëvendosjes ulen ku do që ju thotë organizatori. Unë mendoj që kish me qenë gabim të mos shkonte aty. Në kohën kur zhvilloheshin dialogjet për Zajednicën e të tjera, në atë kontekst ato takime marrin kuptimin e koncesioneve por nëse shkon një zyrtar i Kosovës  dhe paraqet qëndrimin e vet që e mbron shtetësinë unë mendoj që nuk është mirë të mos jesh”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithëse ka pasur takime në mes liderëve deri më tani nuk është arritur marrëveshje për koalicion.