Kurti: BE-ja të gjejë mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se i takon Bashkimit Evropian të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen me Serbinë ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme.

Ai ka potencuar se në Ohër kanë shkuar me qëllime të mira dhe kanë treguar mirëbesim gjatë takimeve të djeshme.

Kurti ka falënderuar të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të dërguarin e posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për angazhimin, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen.

“Ne erdhëm në Ohër me qëllime të mira dhe treguam mirëbesim gjatë takimeve të djeshme. Falënderoj Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar, për angazhimin e tyre të palëkundur. Po ashtu Maqedoninë e Veriut për mikpritje shumë të ngrohtë. Tash kemi arritur marrëveshje për aneksin e implementimit të Marrëveshjes Bazë. Serbia – si në takimin e fundit në Bruksel – shmangu nënshkrimin e Marrëveshjes, e tash edhe të Aneksit. Mbetet te BE-ja të gjejë mekanizëm për të bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, ka shkruar Kurti.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për aneksin e zbatimit të Planit Evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërish nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.