Kryeministri

Kurti arsyetohet që nuk e shkarkoi njeriun e Vuçiqit: Veprimet tona kanë goditur krimin, çështja nuk është Rakiq, shkarkimi i tij do ta bënte çështjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur lidhur me deklaratën e ministrit të Komunitetit dhe Kthim Goran Rakiq i cili krahasoi aksionin e së mërkurës kundër kontrabandës “natë e kristaltë” dhe se serbët nuk durojnë më. Për këtë kryeministri tha se Qeveria me veprimet e tyre ka goditur nervin e çështjes e që është krimi i organizuar, korrupsion e kontrabanda dhe se këtu çështja nuk është Rakiqi, për çka lë të kuptohet se nuk do ta shkarkojë atë nga pozita aktuale.

Kryeministri Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës është në rrugën e drejtë dhe kjo se pikërisht për këtë Serbia e Aleksandër Vuçiqit nuk arrin që t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të ligjshme.

“Sa i përket pyetjes për ministrin Rakiq, më lejoni të them se Qeveria jonë me veprime tona ka goditur nervin e çështjes e ky është luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe kontrabandës. Me ç’rast për veç që po kemi sukses me hetime tona intensive, me policinë tonë profesionale në të njejtën kohë po ndodhë një demaskim gjigand i Serbisë sa i përket përpjekjeve të saj distruktive me strukturat ilegale në Kosovë. Me këtë rast qartazi ne jemi në rrugën e drejt dhe pikërisht se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vucicit nuk po arrin t’i mobilizoj serbët kundër veprimeve të ligjshme e të drejta të qeverisë sonë. Pra, ne kemi goditur nervin e çështjes, çështja nuk është Rakiq, shkarkimi i tij do ta bënte çështjen”, tha Kurti

Kurti ka ritheksuar se veprimet janë të drejta dhe se aty ku është Policia e Kosovës ka rend, ligj dhe qetësi.

“Ne jemi në të drejtën tonë. Policia e Republikës së Kosovës vepron në mënyrë korrekte dhe profesional dhe këtë e ka dëshmuar secilën herë dhe do ta dëshmojë edhe në të ardhmen. Ku ka polici të Kosovës aty ka rend, ka ligj dhe ka edhe qetësi. Mos harroni që mbi 13 mijë e 400 targa të përkohshme ju ndanë veturave që hynë nga Serbia gjatë 13 ditëve pa asnjë incident të vetë. Tash zyrtarë të ndryshëm japin deklarata të ndryshme”, theksoi kryeministri Kurti.