Kurti (2016) | Me Zajednicë, Rusia vjen te Ura e Ibrit, presidenti i saj do ta ketë numrin e telefonit të Putinit, Medvedevi

Kryeministrit Albin Kurti, që dikur ishte kundërshtari më i madh i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ai e quante “Zajednicë”, i kanë mbetur më pak se 24 orë ta varrosë, premtimin më të madh të jetës së tij. 

Ai nesër në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pritet t’i thotë “po”, planit franko-gjerman në kuadër të të cilit do të krijohet edhe “Zajednica” e cila do të ketë një emër tjetër.

Sot Kurti po përgatitet që ta pranojë “Zajednicën”, por dikur thoshte se krijimi i saj do ta forcojë Serbinë dhe do ta sjellë Rusinë te Ura e Ibrit, shkruan Demorkacia.com.

Në vitin 2016 në një intervistë në RTK ai shprehej se drejtuesi i “Zajednicës”, do ta ketë numrin personal të presidentit rus, Vladimir Putin me të cilin do të koordinohet.

“Ta ndalim njëherë përgjithmonë Zjaednicën për shkak se presidenti i Zjaednicës larg qoftë nëse instalohet ajo do ta ketë numrin personal të telefonit Putinit, Medvedevit Rogozinit,  siç ka ndodhë me Dodikun sot në Bosnje. Pra Dodiku sot është më i afërt me Putinin se sa me Vuçiqin  ne nuk mund të lejojmë që jo vetëm  ta forcojmë Serbinë por edhe ta sjellim Rusinë te Ura e Ibrit.”, thoshte ai.

Nesër, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në pritjen e organizuar nga Bashkimi Evropian, do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

E në takimet me ndërmjetësues do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. I pranishëm po ashtu do të jetë edhe i dërguari i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.