Kurteshi: Kërkesa për rinumërim është politike, duan të pengojnë krijimin e qeverisë që ka marrë 50%

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, është treguar edhe njëherë i ashpër ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor, lidhur me çështjen e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ai thotë se dyshimet për manipulim me vota duhet të shihen me seriozitet, derisa dhe shprehet se KQZ është ajo që ka qasje kriminale ndaj votës së qytetarit.

”Këto janë krejt shqetësime që i paraqesin njerëzit, por duhet me i marrë seriozisht”.

”Këtu kemi një problem themelor, atë të besimit. Po shohim njerëz që po flasin se kanë humbur totalisht besimin në këtë sistem, të cilin vet e kanë sjellë partitë në të cilën bëjnë pjesë këta”.

”Në Vetëvendosje janë tri ankesa, njëra prej tyre kanë bërë përpjekje me u tërheq, nuk e kanë tërheqë. Dyshojnë se janë bërë votat”.

”Ka disa shpjegime. Qëllimi që ka pasur KQZ me shumicë votash, nga PDK, LDK, AAK, Nisma dhe partitë e minoriteteve, me ndryshuar listën që e ka dorëzuar Lëvizja Vetëvendosje”.

”KQZ ka qasje korruptive dhe kriminale ndaj votës”.

”Pra KQZ ka shkuar deri në atë shkallë sa në të vërtetë ka marrë vendime të tilla ku thuhet se çështja e fituesit dhe humbësit zgjidhet në tavolinë. Jo, çështja zgjidhet në kutinë e votimit”.

Megjithatë ai jep qëndrimin e tij se është kundër rinumërimit të votive, meqë thotë se është kërkesë krejtësisht politike, njofton Klan Kosova.

”Nuk ka ngatërresa midis anëtarëve mes Vetëvendosjes dhe Listës Vjosa. Ne nuk kemi konflikte. Kur t’i digjet bishti dhelprës, nuk është djeg krejt bota”.

”Kërkesa për rinumërim të plotë është krejtësisht politike. Është politike sepse duan ta pengojnë krijimin e një qeverie që ka marrë mbi 50% të votave të votuesve të Kosovës. Nuk është as ligjore”.