Budva

Kurc në hapjen e konferencës në Budva e uron Maqedoninë për vendimin për implementimin e Marrëveshjes së Prespës

E uroj Maqedoninë për vendimin historik të vazhdojë me implementimin e Marrëveshjes së Prespës, me çka dërgoi sinjal të inkurajimit jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për tërë rajonin, tha sot kancelari austriak Sebastijan Kurc i cili së bashku me presidentin malazez Millo Gjukanoviq e hapi konferencën “Ballkani dhe BE-ja – Cikli pesëvjeçar i procesit të Berlinit”, që mbahet në Budva.

Në konferencë merr pjesë delegacioni qeveritar i Maqedonisë i udhëhequr nga zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, e në përbërje të të cilit është edhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Angjushev, siç kumtoi Kabineti i tij, do të marrë pjesë në panelin “Perspektiva ekonomike dhe evropiane e Ballkanit”, dhe do të debatojë me përfaqësuesit tjerë të shquar politik nga vendet e rajonit.

Bekteshi, ndërkaq, nesër do të marrë pjesë në panelin “Bashkëpunimi rajonal si segment i integrimeve evropiane: ekonomia-gjenerator i zhvillimit të tërësishëm”, së bashku me ministrat tjerë ekonomik nga rajoni.

Kancelari Kurc në fjalimin e tij u përqendrua në aspektet e ndryshme të cilat ndikojnë në stabilitetin më të madh ekonomik dhe të sigurisë në rajon. Ai theksoi se rajoni sot me guxim hapëron përpara me proceset reformuese dhe bëhet faktor kredibil për tërë Bashkimin Evropian.

Në kuadër të Konferencës, anëtarët e delegacionit qeveritar do të realizojnë edhe takime bilaterale me liderët politik dhe të biznesit nga rajoni.