Kur Albin Kurti i shkonte në emision “UDB-ashit”, Baton Haxhiu! (VIDEO)

Në prag të intervistave të para të Gjykatës Speciale për ushtarët dhe komandantët e UÇK-së, Albin Kurti ka sulmuar si zakonisht presidentin e vendit Hashim Thaçit. Kësaj radhe pjesë e sulmit nuk ka qenë vetëm Thaçi, por edhe gazetarët që e kritikojnë atë.

Albin Kurti, lideri i partisë që vitin e kaluar kishte vendosur ta bojkotoj televizionin Klan Kosova, sot është sulur ndaj drejtorit të këtij televizioni, Baton Haxhiut.

Kurti ka gjetur mënyrën për ta sulmuar drejtorin e këtij televizioni kur ka kritikuar presidentin Thaçi, për siç ka thënë ai mëkatet e tij për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti”, ka shkruar Kurti në postimin e tij para pak minutave.

Ai ka përmendur dy herë gazetarin, Haxhiun. Njërën herë kur i ka kërkuar të mos i lejojë Lushtakun, Mustafën, Selimin dhe të tjerët që të shkojnë në Gjykatë Speciale, por të shkojë Thaçi. Ka përmendur Haxhiun duke i thënë se Thaçi nuk duhet të mbetet president në Prishtinë me gazetarin Baton Haxhiun.

Për të mos e lënë me kaq, partia e Albin Kurtit sot edhe një herë është marrë me Baton Haxhiu.

Kjo parti, përmes një komunikate për media e ka përshendetur vendimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për të mos e dekretuar Gent Cakajn si ministër të Jashtëm të Shqipërisë, shkruan Ballkani.info.

“Kujtojmë se Haxhiu ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së para dhe gjatë lufte, vartës i krerëve të saj, Jovica Stanishiq dhe Zoran Stijoviq, dhe i përfshirë direkt në planin për largimin e disa deputetëve që u shkëputën nga Lëvizja Vetëvendosje vitin e kaluar, pasi morën padrejtësisht mandatet e fituara në emër të Lëvizjes. Në planet e Baton Haxhiut, duket se Gent Cakaj ka shërbyer si pararojë e të ikurve. Në Prishtinë dihet ajo që thotë Baton Haxhiu se e ka angazhuar për vite të tëra Cakajn me pagë shumë të lartë që të bëjë analizën e sondazheve të cilat i porosit Haxhiu. Prandaj, Baton Haxhiu sot e kërcënoi Presidentin Meta me një reagim, sepse është i shqetësuar për fatin e investimit të tij shumëvjeçar”, thuhet në shkrimin e Vetëvendosjes.

Mirëpo, Albin Kurti dhe zytarë tjerë të VV-së kanë qenë gati çdo javë të pranishëm në televizionin që e drejton Baton Haxhiu, Klan Kosova.

Vetë Kurti ka qenë shpesh pjesë e emisionit që e drejton Haxhiu, “Zona e Debatit”.

A po i bie tash se Kurti paska shkuar në emision të UDB-ashit?! /Ballkani.info/