Kundërshtohet ideja e koalicionit VV-LDK për ndarjen e MPMS-së

Shpërbërja eventuale e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është hap i paanalizuar mirë, vlerëson Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale. Ky institut po e kundërshton ndarjen e kësaj ministrie, pasi thotë se do të ndikojë negativisht në gjendjen sociale në vend.

Vebi Mujku tha se Ministria e Punës nuk mund të funksionojë e ndarë dhe e shkapërderdhur në disa ministri të tjera, pasi ka një numër të madh të skemave sociale të përfshira brenda saj, raporton KTV.

Tutje, sipas tij, me planifikimin dhe strukturimin e ri shumë skema shihen sikur transfere, e që sipas tij Ministria e Financave nuk është në gjendje ta bëjë vlerësimin e duhur profesional.

Kundër është edhe Mentor Morina, i cili aktualisht udhëheq Departamentin e Politikave Sociale dhe Familjare brenda Ministrisë.

Ndërkohë, të dielën, LDK-ja dhe Vetëvendosje në marrëveshjen për formimin e Qeverisë janë pajtuar që nga 12 ministri sa ishin pajtuar më herët, Qeveria e re të ketë 15.

Zyrtarisht ende nuk dihet nëse Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të mbetet e këtillë, por në grupet punuese të dy subjekteve politike është përmendur mundësia që e njëjta të ndahet në departamente në ministri të tjera.