Serbia dhe Bosnja nuk do të marrin pjesë në takimet e grupeve punuese të CEFTA-s në Prishtinë më 20 dhe 21 nëntor, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Serbisë, Rasim Lajiq.
Kjo vije se kundërmasë për vendosjen e taksës prej 10 për qind nga Kosova mallrat me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja.
Të dy vendet, ka thënë Lajiq, nuk do të marrin pjesë në takimin ministror në kuadër të javës së CEFTA-s, e cila do të mbahet në Prishtinë me 3 dhjetor, transmeton Ballkani.info.
Sipas Lajiqit, ky është përfundim i përbashkët pas bisedës së sotme telefonike me ministrin e Bosnjës për Tregti dhe Marrëdhenie Ekonomike, Mirko Sharoviq.
“Është e pakuptimtë që ta fusin kokën në rërë dhe të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe se situata është normale, kurse të gjithë ne e kemi të qartë se vendosja e taksës prej 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja që hyjnë në Kosovë paraqet krizën më të madhe që nga funksionimi i Marrëveshjes së CEFTA-s”, ka thënë Lajiq.
“Paramendojeni që në situatë të tillë Sharoviq dhe unë të flasim për lehtësira tregtare dhe heqjen e barrierave, kurse neve momentalisht na janë vënë barriera dhe barrikada nga institucionet në Prishtinë. Dhe më pas disa ministra kosovarë janë të lumtur që ka rënë tregtia me Serbinë”, ka shtuar ai.
Të kujtojmë që më shumë se një javë më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi taksën prej 10 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës për shkak të sjelljeve bllokuese të këtyre dy shteteve karshi shtetit tonë.
Qeveria ka paralajmëruar rritjen e kësaj takse nëse Serbia dhe Bosnja nuk disiplonohen. /Ballkani.info/







