Kunati i Albulena Haxhiut me fjalë të mëdha për Hashim Thaçin, “gërditet” nga aktivistët e LVV-së

Burri dhe kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, kanë dhënë deklarata diametralisht të kundërta për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, sidomos për Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Dardan Krasniqi është vëllai i Alban Krasniqit, bashkëshortit të ministres së Drejtësisë. Të dy aktivistë të partisë në pushtet, Vetëvendosjes. Madje, Albani në zgjedhjet e fundit ishte edhe kandidat për kryetar të Malishevës. Si veteran i luftës së UÇK-së, Dardan Krasniqi në një emision në Kanal 10 ka folur fjalë të mëdha për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kontributin e tij në luftë.

Për dallim nga Albani, Dardani thotë se çuditet kur sheh njerëz që akuzojnë se Thaçi nuk ka luftuar. Madje, komentet nga aktivistët e Vetëvendosjes kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit e të tjerëve që janë në Hagë, i ka quajtur si “gërditëse”.

“Hashim Thaçit e Kadri Veselit në Malishevë ia kemi dhënë të gjitha në periudhën 98-99. Të gjitha ia kemi dhënë, s’ka familje që ka dhënë më shumë, asnjëherë nuk jemi pishman. Më vjen kërdi kur shoh bashkëaktivistë të mi duke e sharë familjen Haradinaj, tmerrohna. Për qata kena dështu si shoqëri me nxjerrë vlera në këtë vend. Mua kjo më dhemb”, tha fillimisht ai.

“Çuditem kur njerëzit e shajnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin që mbahen në Hagë, edhe iu thojnë mos u kthefshi kurrë. Jo more zotëri. Është çoroditje nëse thua nuk je me mu, je armiku im. Sado që të jetë jeta, kategoria e UÇK-së, e këtyre komandantëve, janë të shenjtë”, shtoi tutje ai.

“Njerëzit nuk i njohin çka kanë bo. Unë çuditem kur njerëzit që nuk e njohin Hashim Thacin e dalin thonë s’kanë luftu. Ku e njeh more zotëri. Ku e njeh a ka luftu a ska luftu. Ai e ka përfaqësuar një isntiucion brenda UÇK-së”, deklaroi ndër të tjera Krasniqi.