Kulmi në Vlorë, cilat zona pritet të përmbyten në Shqipëri

Shqipëria është përfshirë nga një intensitet i lartë reshjes gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme duke shkaktuar përmbytje në Ultësirën Perëndimore të vendit.

Gjatë ditës së sotme, abcneës.al ka raportuar për përmbytje në Shkodër, Lezhë, Durrës, Laç dhe Vlorë.

Reshjet e dendura ishin parashikuar më parë edhe nga IGJEUM, ku instituti bënte thirrje që të kihej kujdes gjatë 24 orëve që lamë pas.

Ndërkohë, gjithçka është konstatuar edhe nga saletitët e motit mbi Europë. Nga pamjet e publikuara duket se kulmi i reshjeve gjatë 24 orëve të fundit është arritur në Vlorë duke shënuar 10-20 milimetra në orë.

Por nuk mbaron me keq. Vendi do të përballet me reshje të dendura edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, ku në zona si Shqipëria Qendrore dhe ajo Perëndimore do të shënohen reshje shiu me një intensitet 10-15 milimetra në orë.

Reshjet e shiut gjatë natës kanë sjellë përmbytje të shumta në Shkodër. Kryebashkiakja në detyrë Voltana Ademi ishte në Obot, një ndër zonat më problematike.

Ademi tha se situata është përkeqësuar. Rruga e Obotit është e pakalueshme, dhe pak më parë ka mbërritur një mjet i ushtrisë për të bërë transportin. Sipas saj deri më tani nuk ka nevojë për evakuime, por ka dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore, ku nën ujë janë rreth 1600 ha tokë.

As Bashkia e Durrësit nuk i ka shpëtuar përmbytjeve si pasojë e reshjeve intensive të shiut.

Siç njofton bashkia e qytetit bregdetar, në Njësinë Administrative nr. 6, në rreth 15 banesa që ndodhen nën nivelin e rrugës ka depërtuar uji. Ndërsa në fshatin Jubë janë evakuuar dy familje.