Kulmi i krizës ekonomike dhe inflacionit| Kurti: Kur njerëzit kanë shpresë, shpenzojnë më shumë sesa kursejnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kur qytetarët kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë. Sipas tij, kur qytetarët e një vendi shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri, kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat.

Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur vendi po përballet me inflacionin ndër më të mëdhenjtë ndër vite. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor, norma vjetore e inflacionit e matur në krahasim me qershorin e vitit të shkuar, ishte 14.1 për qind.

“Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për deklaratën e Kurtit në një takim me ministrin e jashtëm polak, njëherësh kryesuesin e OSBE-së, Zbigniew Rau, të premten.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti “e njoftoi ministrin e jashtëm polak për progresin në një vit qeverisje, rritjen ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e investimeve të huaja direkte për 22 për qind, të hyrave tatimore për 54 për qind, rritjen e eksporteve për 83,6 për qind në fushat e procesimit të lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe të sektorit të teknologjisë së komunikimit dhe të informacionit”.