Driton Kuka

Kuka: Nga xhudo më ndan vetëm vdekja

Sukseset e jashtëzakonshme evropiane e botërore që sporti i xhudos i ka sjellë Kosovës janë të lidhura me emrin e Driton Kukës. Falë punës së tij, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka, por edhe Akil Gjakova kanë rrëmbyer shumë medalje elitare.

Sot Kuka është i shpallur si trajneri më i mirë në botë dhe njihet me nofkën “Kryemjeshtri”. Ai në një intervistë për KosovaPress ka rrëfyer për herë të parë rrugëtimin e tij të suksesshëm në xhudo.

“Ne e kemi pasur si pasion familjar edhe tre vëllezërit jemi marrë me xhudo. Trajneri im i parë ka qenë vëllai im i madh, Syla, i cili edhe aktualisht është i pasionuar me sportin e xhudos…Xhudon e kemi pasur pasion, dashuri, sport i cili me të vërtetë nga ka ngërthyer komplet si familje dhe kjo ka qenë arsyeja pse edhe unë kam shkuar pas pasionit të vëllezërve dhe ndoshta kam shkuar pak më shumë se ata për shkak se atyre xhudo u ka dhënë shumë kënaqësi, e mua përveç kënaqësisë, tani më është bërë edhe profesion”, tha Kuka.

Kuka ka zbuluar se sikur të mos merrej me xhudo sot mund të ishte një mjek i suksesshëm.

“Faktikisht i përkas asaj gjeneratës që shkollimi nuk më ka lënë të vazhdojë tutje, kështu që mandej kam pasur më shumë kohë për sport edhe jam përkushtuar. Përndryshe, dëshira e babait ka qenë që të bëhem mjek, me siguri do të bëhesha një mjek i suksesshëm, sepse në shkollën fillore dhe të mesme kam qenë një ndër nxënësit jo vetëm më të mirët në klasë, por edhe në të gjithë shkollën, me të gjitha pesëshe edhe pse shumë njerëz këtë pak e dinë, nuk e kemi diskutuar shumë këtë pjesë… Po, mendoj që nëse gjithçka do të shkonte në rregull dhe mos ta kishim pasur një okupim të egër edhe largimin nga shkolla ndoshta do të kisha qenë ndonjë doktor”, ka deklaruar Kuka.

Tashmë kur “ka shkelur” botën me punën e tij, Kuka ka pranuar se ka nevojë për pushim dhe më shumë hapësirë për familjen e tij.

“Pas Lojërave Olimpike në Paris, unë meritoj pak më shumë kohë për veten dhe familjen time, sepse në hak më së shumti po iu hy fëmijëve të mi me mungesat e mija në shtëpi… Kjo nënkupton që unë do të vazhdoj të punoj tutje, do të jem ndoshta truri i ekipit të trajnerëve, do të jem gjithmonë në palestër, por udhëtimet dhe grup-moshat e sportistëve të merren më shumë trajnerët tjerë, sepse e kanë edhe potencialin. Unë nuk jam garues, jam trajner, njeri që e ka pasion xhudon dhe prej xhudos nuk mund të largohem, vetëm kur të ndërroj jetë prej kësaj bote për arsye se nuk e mendoj jetën pa xhudo”, tha Kuka.

Kuka ka thënë se nuk do të largohet nga sporti i xhudos pasi do të vazhdojë të jetë në palestër si truri i ekipit të ri të trajnerëve.