Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka ironizuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta shpërblyer Kombëtaren e Futbollit me 500 mijë euro, duke thënë se Federata e xhudos nuk ka nevojë për përkrahje të tilla sepse ka mjaftueshëm buxhet.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, njoftoi sot se Qeveria e vendit e ka mbështetur propozimin e tij për t’ia ndarë ekipit kombëtar gjysmë milionë euro, si shpërblim për arritjet e deritanishme.

Dardanët arritën të promovohen nga Liga D në Ligën C të Ligës së Kombeve, si dhe e siguruan një vend në gjysmëfinalen e play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, ku do të garojnë nëse nuk kualifikohen përmes rrugës tradicionale.

Shpërblim i tillë nuk u nda edhe për sukseset që treguan xhudistët kosovarë në garat e ndryshme që janë mbajtur gjatë muajve të fundit, ku janë shpërblyer me medalje të arta, të argjendta e të bronzta.

“Sot Qeveria ndau 500 mijë Euro Federatës së futbollit me propozim të Kryeparlamentarit Veseli për rezultatet e arritura. Vendim i qëlluar dhe me plot meritë. Vendim ky për sukseset e fundit . Federata e xhudos ka buxhet me miliona s’ka nevojë për përkrahje shtesë!!”, ka shkruar Kuka në llogarinë e tij në Facebook.

Kuka ka gëzuar sukses dhe vlerësim të madh ndërkombëtar duke i udhëhequr xhudistët kosovarë drejt arritjeve të mëdha në sportin e xhudos në botë. Me tri medalje të arta të fituara nga Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, si dhe një të argjendtë të fituar nga Nora Gjakova, Kosova ishte vendi më i suksesshëm, i pari në turneun Grand Prix këtë muaj në Tashkent të Uzbekistanit.

Pas kësaj gare, Kuka kishte kërkuar më shumë mbështetje nga politikanët.

“Sporti i xhudos ka bërë më shumë se politika, por pres që edhe politika të bëj më shumë për xhudon. Kthehemi nga një garë ku arritëm suksese të mëdha. Në tri javë rresht të fitohen kaq medalje në gara botërore, është arritja më e madhe e sportit kosovar”, ishte shprehur Kuka.