Prishtinë

Kujdes! Shpeshtohen monedhat fals me vlerë 500 euro në Prishtinë

Dje në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë janë arrestuar tre persona, shtetas të Shqipërisë, pse gjatë kontrollit u është gjetur një kartëmonedhë prej 500 euro.

Sipas policisë dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar.

Sheshi “Nëna Terezë’, Prishtinë 18.10.2018-10:00. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj shtetas të Shqipërisë, pasi gjatë kontrollit tek njëri prej tyre është gjetur dhe konfiskuar një kartëmonedhë prej 500 (pesëqind) €. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër është liruar.

Kujtojmë, se më 17 tetor, policia kishte njoftuar se kishte arrestuar një të dyshuar pasi ka lëshuar në qarkullim një kartëmonedhë të falsifikuar prej 500 euro.

“Pas një pune hetimore me 16.10.2018 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Serbisë. Gjate intervistimit i dyshuari ka pranuar se në bashkëpunim me të dyshuarit tjerë kanë lëshuar në qarkullim një kartëmonedhë të falsifikuar prej 500 euro. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”.