Kufiri që i prishi!

Që nga kundërshtimi publik që kryeministri Ramush Haradinaj shfaqi për idenë e presidentit Hashim Thaçi rreth shkëmbimit të territoreve me shtetin serb, raportet mes dy zyrtarëve të lartë të shtetit, janë ftohur dukshëm.

Gjatë konferencës së mbajtur nga Presidenti Thaçi ditën e djeshme, ai u shpreh se Kryeministri Haradinaj duhet të ketë kujdes se si shprehet dhe se ka pritur nga ai të jetë më racional.

“I bëj thirrje kryeministrit të jetë më racional dhe më i përgjegjëshëm në deklaratat e tij për dialogun”, u shpreh Thaçi.

Presidenti u shpreh edhe kundër deklarimeve të kryeministrit Haradinaj rreth listave të veteranëve, pasi ky i fundit ishte shprehur se vetëm në Dukagjin ka patur rreth 50 mijë ushtarë.

“Keqpërdorimet në listat e veteranëve duhet të hetohen deri në fund. Të gjithë e dimë se kanë qenë më shumë se 12 mijë ushtarë në UÇK” u shpreh më tutje Thaçi.

Pas deklaratave të kryeministrit Haradinaj në Marinë, ku u shpreh kundër idesë së shkëmbimit të territorit, presidenti Thaçi gjatë konferencës u shpreh se nuk do ta sakrifikojë Luginën për ndonjë individ në veri, duke iu referuar kështu shoqërisë që kryeministri Haradinaj ka me Milan Radojçiqin, njeri me ndikim në pjesën veriore të Mitrovicës, shkruan ballkani.info.

Ndërkaq sot, gjatë konferencës për media të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Haradinaj shfaqi kundërshtimet e tij rreth deklaratave të presidentit. Ai u shpreh se i qëndron pas deklaratave të tij rreth listave të veteranëve dhe se Thaçi mund të vazhdojë dialogun me Serbinë por jo me idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Nuk mundet me më tregu për luftë mu Thaçi, ai ndoshta i ka numruar ushtarët në Rogner”, tha Haradinaj më tutje.

Gjithashtu kryeminstri Haradinaj përmendi edhe miqësinë që ka me Milan Radojçiqin në veri, por tha se kjo nuk është çështje personash, duke e akuzuar presidentin se me të njëjtit persona ka miqësi edhe ai vetë.

“Sado që mund ta kem mik presidentin, dikë në Kosovë dhe veri, shumë burra më të mirë kanë qenë vëllezërit e mi, Shkëlzeni e Luani dhe nuk lejoj pra që ajo që e arritur e këtij populli të nëpërkëmbet prej njërit nga ne”, u shpreh Haradinaj.

Kujtojmë se raportet mes Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj kanë nisur të ftohen prej momentit kur kryeministri ishte shprehur publikisht kundër idesë së presidentit rreth shkëmbimit të territorit me Serbinë.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri dhe presidentin i prishin raportet. Më herët, në pozita të ndryshme, Thaçi në pushtet e Haradinaj në opozitë, kishin përplasje të vazhdueshme, sidomos në kohën e bllokut opozitar. /Ballkani.info/