Kuçi thotë se Bordi i Telekomit po refuzon të futet në marrëveshje për shlyerjen e borxhit: Po mbyllet dera e zgjidhjes

Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi ka shkruar në një status në Facebook për situatën në Telekomin e Kosovës.

“Situata e bllokimit të xhirollogarive të Telekomit të Kosovës, po e bën këtë çështje çdo ditë e më urgjente për veprime, pasi rrezikohet funksionimi i vet ndërmarrjes, por edhe ekzekutimi i pagave të punëtorëve”, ka thënë ai derisa ka dhënë detaje për takimin që sot u mbajt në qeveri.

Ai e ka akuzuar bordin e Telekomit që thotë se kanë deklaruar se nuk duan të futen në ndonjë marrëveshje për shlyerjen e borxhit.

“Sot në një takim të thirrur nga Kryeministri Avdullah Hoti, ku morëm pjesë të gjithë akterët të implikuar në këtë çështje, Bordi i Telekomit u deklarua se nuk dëshiron të futet në asnjë marrëveshje për shlyerjen e borxhit, edhe nëse Qeveria e Kosovës i jep mbështetje. Si rrjedhojë, ky veprim i Bordit të Telekomit rrezikon të mbyllë derën e një zgjidhjeje, që po rezulton si e vetmja zgjidhje, dhe po e çon Telekomin në një krizë për pagesën e shpenzimeve operative, ku bëjnë pjesë edhe pagat e punëtorëve”, ka shkruar ministri.