Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi ka reaguar ndaj një deklarate të ministrit në detyrë të Financave, Besnik Bislimi lidhur me ndarjen e ndihmave nëpër komuna.

Kuçi përmes një postimi në Facebook, ka komentuar një deklaratë të ministrit Bislimi që e kishte dhënë më 7 maj në interaktiv, për të cilën Kuçi thotë se ka bërë një tjetër gabim në kalkulim, pasi që është e papranueshme që komuna e Deçanit të marrë ndihma më pak gjatë këndelljes nga pandemia, për shkak se nuk ka të infektuar me koronavirus.

Kuçi, që është edhe asambleiste në Kuvendin Komunal të Deçanit, thotë se kjo komunë ka qenë e mbyllur njësoj si çdo tjetër, rrjedhimisht dëmet ekonomike i ka pasur si çdo qytet tjetër i Kosovës.

Shkrimi i plotë i saj:

“Ministri i Financave, Besnik Bislimi, bëri një diskriminim kalkulimi, një gabim, për të cilat tashmë po njihet.

Tha që Komuna e Deçanit do të marrë ndihma më pak sepse nuk ka të infektuar, ani pse Deçani, si çdo Komunë tjetër, ka qenë i mbyllur dhe ka pësuar humbje ekonomike si çdo Komunë tjetër.

Ministri Bislimi, si kalkulant i ftohtë, arriti të anashkaloj një Komunë të tërë, me plot qytetarë e biznese që mbeten pa punë prej vendimeve të qeverisë së tij dhe, pa hezituar, iu tha që për ta ndihma nuk do të jetë e barabartë anipse dëmet që do t’i bartin mbi supet e veta do të jenë të barabarta me çdo qytetar të Kosovës.

Qytetarët e Deçanit nuk janë numra për t’i kalkuluar, po njerëz që kanë humbur shumë gjatë këtyre muajve të pandemisë dhe rimekëmbja po iu vështirësohet.

Dinjiteti dhe mirëqenia ka kuptim kur vlen për të gjithë, barabartë, pa dallime e diskriminime, pavarësisht numrit të të infektuarëve”.