Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm në seancën e parë dëgjimore në Gjykatën Speciale rreth aktakuzës së ngritur ndaj tij për ndikimin mbi dëshmitarët lidhur me një rast tjetër që ndiqet penalisht në këtë gjykatë.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë që e ka profesion dhe mision tërë jetën. Si profesor i drejtësisë për mbi 30 vjet, si ish-kryetar i Komisionit Kushtetues të Kosovës që Kushtetuta është ende në fuqi”, tha Kuçi.
“Si zëvendës kryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i drejtësisë për dy mandate, si anëtar i ekipit mbrojtës të kryetarit Veseli këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional, por edhe të reputacionit tim. Drejtësinë si profesion dhe mision do ta vazhdojë edhe nga sot”, shtoi.
Tutje, ish-ministri i Drejtwsisw ka theksuar se i vjen keq për shqetësimin që kjo aktakuzë iu ka bërë anëtarëve të familjes sw tij, studentëve, kolegëve dhe shokëve dhe qytetarëve të Kosovës, teksa wshtw shprehur i bindur nw pafasinw e tij.
“Ju them atyre edhe sot që unë jam i njëjti që kam qenë edhe para datës 6 dhjetor të vitit 2024. Nuk do ta zhgënjejë askënd, as ju as drejtësinë. Më lejon të jem i qartë, unë nuk kam bërë asnjë vepër penale dhe jam i pafajshëm, kam besim të plotë që do të lirohem nga akuzat”, potencoi ai.
“Në aktakuzë jam me presidentin Thaçi, më lejoni të them se Hashim e kam mik dhe njihemi për disa vite dhe kemi punuar bashkë. Më të kemi punuar në parimin e drejtësisë. Edhe sot besoj që kjo gjykatë do ta bëjë të njëjtën gjë”.
Të dielën, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk janë deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët.
Ndërkaq, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, është deklaruar i pafajshëm. ”Kam biseduar edhe me avokatin para një ore. Por, unë jam i pafajshëm, deklarohem i pafajshëm”, theksoi Fazliu në seancën e parë dëgjimore në gjykatore.
Gjykata Speciale ka ngritur një aktakuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
Sipas akuzës Thaçi, “në periudhën 12 prill të 2023 deri më 2 nëntor të 2024-së gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidencial për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.
“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.
Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës Thaçi dhe të tjerët.







