Një muaj pasi Gjykata Themelore e Gjilanit e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës drejtoreshën e Inspekcionit Entela Hysenin, Apeli e ka rikthyer rastin në rigjykim.

Me këtë vendim, Apeli ka urdhëruar që procedura penale ndaj Hysenit të vazhdojë dhe të caktohet seancë për shqyrtim gjyqësor, lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ballkani.info ka raportuar dje ekskluzivisht për vendimin e Apelit, por edhe më herët në vazhdimësi për këtë rast të pretenduar kriminal.

“AKTVENDIM  – Me APROVIMIN e ankesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, NRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan- Departamenti i Krimeve të Rënda PKR.Nr.25/2025,të dt.02.05.2025, ashtu që procedura penale ndaj të akuzuarës Entela Hyseni, për shkak të veprës penale, Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit nga neni414 par. 1 lidhur me par.3 nën par.3.2 e 3.6 të KPRK-së, vazhdohet sipas dispozitave procedurale të parapara për caktimin e seance së shqyrtimit gjyqësor”, thuhet nder tjerash në aktvendim.

Muajin e kaluar, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, kishte thënë se vendimi i gjykatës konsiderohet si një konfirmim i integritetit dhe profesionalizmit të Hysenit, e cila u përball me një proces që nga mbështetësit e saj është cilësuar si i padrejtë dhe politikisht i motivuar. “Çdo tentativë për ta njollosur atë dhe qeverisjen e pastër që përfaqësojmë është e destinuar të dështojë”, thuhej në një reagim pas lirimit të saj, duke shtuar se drejtësia dhe e vërteta janë në anën e atyre që veprojnë me ndershmëri dhe përkushtim ndaj qytetarëve.

Ky vendim i Themelores, ishte pritur me lehtësim nga përkrahësit e Hysenit dhe bashkëpunëtorët e saj në Komunën e Gjilanit, të cilët e kanë cilësuar këtë si një fitore jo vetëm për të si individ, por për gjithë ata që besojnë në një administratë të ndershme dhe transparente.

Mirëpo, edhe pse tashmë vendimi i Apelit për rigjykim është marrë, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, duket se nuk e ka më entuziazmin e njëjtë. Ai para një muaj ishte ngutur ta jepte “lajmin e madh” për lirimin nga aktakuza të zonjës Hyseni!

Vendimi i marrë nga Gjykata para afateve ligjore për përgjigje në ankesë, vetëm dy ditë pasi kishte pranuar ankesën pala e dëmtuar, e kishte lumturuar edhe nënkryetaren e Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku. Ajo kishte shkruar në Facebook, në postimin e Alban Hysenit me Entela Hysenin se “Drejtësia fitoi! Urime Entela”.

Për çka po akuzohet Entela Hyseni?

Më 1 korrik të vitit të kaluar, inspektorët e ndërtimit kishin nxjerr një aktvendim për rrënim me të cilin është urdhëruar pronarët e kompanive të nderimit “Engji SH.P.K dhe “Elita SHPK” që të rrënoj – kthej në gjendje të mëparshme hapësirat e përbashkëta në përputhje me vendimin për legalizim, meqë kanë kryer ndërtim të paligjshëm.

Ky aktvendim kishte ardhur pas ankesave të biznesmenit Valon Salihut, pronar i disa lokaleve në lagjen “Fidanishtja” në Gjilan, i cili është përballur me vështirësi në shfrytëzimin e tyre për shkak të një muri të ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Kompanitë ”Engji SH.P.K” dhe “Elita SH.P.K” pranë lokaleve të Salihut dyshohet se kanë kryer ndërtim të paligjshme, uzurpim të pronës dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë ndryshuar në terren gjendjen faktike.

Në vend të parkingjeve, kanë ndërtuar një muri dhe në vend të rrugës kanë bërë parkingje, për dallim prej asaj për të cilën ishte lëshuar leja ndërtimore.

Si rrjedhojë e këtij ndërtimi të paligjshëm nuk është duke mundur që t’i shfrytëzoj lokalet e tij për qëllime afariste, duke i paraqitur pengesa në shfrytëzimin e tyre.

Por, përkundër aktvendimit, Hyseni – qëllimisht nuk kishte zbatuar aktvendimin për rrënim, e që Prokuroria pas zhvillimit të hetimeve më datë 18 Mars 2025, ndaj Entela Hyseni, ka ngritur aktakuzë, derisa seanca e parë fillestare është mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan me 14 prill të këtij viti.

“Përfshirja” e nënkryetares së Gjilanit, Leunora Bunjaku në këtë rast

Dyshohet se Hyseni nuk e kishte rrënuar murin ilegal për shkak të ndikimit të nënkryetares së Gjilanit, Leunora Bunjakut e cila është motra e motra e Agron Morinës, investitorit të “Elita SHPK” të përfshirë në rastin në fjalë.

Për këtë problematikë, në dijeni por pa përgjigje është edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Ballkani.info ka dërguar disa herë pyetje në Komunën e Gjilanit, si dhe ka tentuar të flas përmes telefonit me Hysenin, por i njëjti ka heshtur. Madje ai as në sms-ët e dërguar nuk është përgjigjur.

Ndryshe, biznesmeni Valon Salihu ia ka shkruar një letër kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit, duke e paralajmëruar për kallëzim penal nëse nuk zbatohet aktvendimi për rrënimin e murit ilegal.

“Për të mos ardhur në pozicionin e Entela Hysenit, kërkoj që të ndërmerrni veprimet ligjore që iu takojnë, e gjithashtu me mirësjellje kërkojë që këtë paralajmërim ta trajtoni me shumë seriozitet dhe të ndërmerren veprimet përkatëse, në të kundërtën jam i detyruar që kundër vullnetit tim të ushtroj kallëzim penal ndaj jush”, thuhet në letër. /Ballkani.info/