Gjykata e Apelit e Kosovës e ka konfirmuar aktakuzën ndaj drejtoreshës së Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, Entela Hyseni. Me këtë vendim, Apeli i ka dhënë goditje të rëndë Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe gjyqtarit të lëndës së zonjës Hyseni, Naser Maliqi, i cili më 2 maj të këtij viti krejtësisht në mënyrë të befasishme kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj drejtoreshës së Inspekcionit.
Pas vendimit të gjyqtarit Maliqi, Prokuroria e Gjilanit dhe pala e dëmtuar në rastin e Entela Hysenit, kishin ushtruar ankesë në Apel. Dhe çuditërisht, më 15 maj, pra pas pranimit të ankesave, gjyqtari Naser Maliqi e përmirëson aktvendimin e datës 02.05.2025.
Maliqi, i cili ishte bërë i famshëm për “pëlqimin” e videos së Albin Kurtit, i përmirësoi shkeljet në të cilat pala e dëmtuar kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të datës 2 maj.
Ballkani.info e ka siguruar aktvendimin e Gjykatës së Apelit të datës 10 qershor me të cilit rrëzohet vendimi i gjyqtarit Maliqi për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj drejtoreshës së Alban Hysenit.
Çka thuhet në Aktvendimin e Gjykatës se Apelit?
Me APROVIMIN e ankesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, NRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore ne Gjilan- Departamenti i Krimeve të Rënda PKR.Nr.25/2025,te dt.02.05.2025, ashtu që procedura penale ndaj të akuzuarës Entela Hyseni, për shkak te veprës penale, Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit nga neni 414 par. 1 lidhur me par.3 nën par.3.2 e 3.6 t KPRK-së, vazhdohet sipas dispozitave procedurale të parapara për caktimin e seance së shqyrtimit gjyqësor.

Për këtë Gjykatë, aktakuza e ngritur nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan, përmban të gjitha elementet e duhura ligjore siç i parasheh dispozita e nenit 235 par.1 te KPP-së, dispozitë kjo që rregullon aktakuzën, ndërsa nuk ekzistojnë arsyet për hedhjen e aktakuzës ashtu siç i ka paraparë dispozita ligjore e nenit 244 par. 1 nënpar. 1.1, 1.2, 1.3, 1.5, 1.6 dhe 1.7 të KPP-së.

Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës se Prokurorisë Themelore në Gjilan, vlerësoi se pretendimet ankimore janë te bazuara dhe se aktvendimi duhet ndryshuar dhe të refuzohet kërkesa e te akuzuarit për hedhjen e aktakuzës lidhur me veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit nga neni 414 par. 1 lidhur me par.3 nën par:3.2 e 3.6 të KPRK-së, ngase gjykata e shkallës se pare gabimisht e ka aprovuar kërkesën e te akuzuarit, duke hedhë aktakuzën lëndore dhe ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit.

Ne rastin konkret në bazë të provave dhe shkresave tjera në lëndë, ka prova të mjaftueshme nga të cilat rezulton dyshimi i bazuar mirë se e akuzuara Entela Hyseni ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar, për çka prokuroria edhe ka ngritur një aktakuzë të tillë. Një dyshim i tillë i bazuar mirë, përveç se arsyetohet nga shkresat e lëndës, rezulton edhe nga përshkrimi faktik i dispozitivit të aktakuzës se kemi të bëjmë me përshkrimin inkriminues të veprimeve të akuzuarës dhe dashjen për veprën penale në të cilën akuzohet, mirëpo gjykata e shkallës së parë nga ky përshkrim faktik dhe cilësim ligjor nxjerr përfundim të gabuar me pushimin e kësaj çështje penale, e pa u vërtetuar faktet vendimtare e për të cilat duhet të dëgjohet i dëmtuari në cilësinë e dëshmitari, dëshmitarët e propozuar në aktakuze, si dhe administrimin e provave materiale që kanë rezultuar, të cilat duhet të administrohen në shqyrtimin gjyqësor.

Andaj, kjo Gjykatë e ndryshoj aktvendimin e atakuar, ndërsa Gjykata e shkallës së parë, obligohet të vazhdojë më tutje me procedimin penal, të administroj provat e pastaj të marrë vendim të drejt dhe të ligjshëm.

Kujtojmë së gjyqtari Naser Maliqi kishte marrë vendim në kohë rekord, të paparë deri më tash, për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj drejtoreshës së Alban Hysenit, ende pa kaluar koha e ankesave, e drejt kjo që iu kishte mohuar palës së dëmtuar.
Ndërkohë një tjetër rast i paprecedent kishte ndodhur në Gjykatën Themelore të Gjilanit. Gjyqtari i shkallës së parë, Naser Maliqi, i cili liroi nga akuza Drejtoreshën e Inspekcionit në Gjilan nga radhët e Vetëvendosjes, Entela Hyseni, vendim ky që e kishte gëzuar kryetarin Alban Hyseni, e kishte përmirësuar aktvendimin pasi prokuroria dhe pala e dëmtuar dorëzuan ankesat.

Ballkani.info e pati siguruar aktvendimin e përmirësuar më datën 16 maj të këtij viti. Më 2 maj gjykatësi Maliqi e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Entela Hysenit, ndërkaq më 8 maj Prokuroria Themelore në Gjilan ushtron ankesë kundër këtij aktvendimi, pastaj më 12 maj ankohet pala e dëmtuar.

Ndaj Hysenit ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore si e dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Por, ndonëse kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, bëri të ditur se Drejtoresha e Inspekcionit u lirua nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës, nuk u publikua vendimi i Gjykatës e cila u kishte lënë afat vetëm dy ditë palës së dëmtuar për ankesë rreth rastit në fjalë.

Vendimi është marrë nga Gjykata para afateve ligjore për përgjigje në ankesë, vetëm dy ditë pasi kishte pranuar ankesën pala e dëmtuar.
Megjithatë, edhe pse vendimi i Themelores nuk ishte i plotfuqishëm, nënkryetarja e Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, me ironi kishte shkruar në Facebook se “Drejtësia fitoi! Urime Entela”.
Dyshohet se drejtoresha Hyseni nuk e kishte rrënuar murin ilegal për shkak të ndikimit të nënkryetares së Gjilanit, Leunora Bunjakut e cila është motra e motra e Agron Morinës, investitorit të “Elita SHPK” të përfshirë në rastin në fjalë.
Për çka po akuzohej Entela Hyseni?
Më 1 korrik të vitit të kaluar, inspektorët e ndërtimit kishin nxjerr një aktvendim për rrënim me të cilin është urdhëruar pronarët e kompanive të nderimit “Engji SH.P.K dhe “Elita SHPK” që të rrënoj – kthej në gjendje të mëparshme hapësirat e përbashkëta në përputhje me vendimin për legalizim, meqë kanë kryer ndërtim të paligjshëm.

Ky aktvendim kishte ardhur pas ankesave të biznesmenit Valon Salihut, pronar i disa lokaleve në lagjen “Fidanishtja” në Gjilan, i cili është përballur me vështirësi në shfrytëzimin e tyre për shkak të një muri të ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Kompanitë ”Engji SH.P.K” dhe “Elita SH.P.K” pranë lokaleve të Salihut dyshohet se kanë kryer ndërtim të paligjshme, uzurpim të pronës dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë ndryshuar në terren gjendjen faktike.
Në vend të parkingjeve, kanë ndërtuar një muri dhe në vend të rrugës kanë bërë parkingje, për dallim prej asaj për të cilën ishte lëshuar leja ndërtimore. Si rrjedhojë e këtij ndërtimi të paligjshëm nuk është duke mundur që t’i shfrytëzoj lokalet e tij për qëllime afariste, duke i paraqitur pengesa në shfrytëzimin e tyre.
Ndryshe, biznesmeni Valon Salihu ia ka shkruar një letër kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit, duke e paralajmëruar për kallëzim penal nëse nuk zbatohet aktvendimi për rrënimin e murit ilegal.
“Për të mos ardhur në pozicionin e Entela Hysenit, kërkoj që të ndërmerrni veprimet ligjore që iu takojnë, e gjithashtu me mirësjellje kërkojë që këtë paralajmërim ta trajtoni me shumë seriozitet dhe të ndërmerren veprimet përkatëse, në të kundërtën jam i detyruar që kundër vullnetit tim të ushtroj kallëzim penal ndaj jush”, thuhet në letër.
Në këtë letër, Salihu asnjëherë nuk mori përgjigje nga kryetari Hyseni. /Ballkani.info/







