Në policinë e Kosovës e kanë pranuar se presidenti Hashim Thaçi dje kishte qëndruar për disa orë në Shqipëri dhe ishte kthyer në Kosovë. Edhe pse ende nuk është konfirmuar, ka dyshime se presidenti Thaçi në Shqipëri kishte qenë për ta sjellë në Kosovë Behgjet Pacollin i cili dje me avionin e tij privat kishte udhëtuar nga Zvicra për në Tiranë.
Mirëpo, Ballkani.info sapo ka kontaktuar me një zyrtar të lartë të AKR-së i cili ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.
“Zot Behgjet Pacolli vazhdon të jetë në shtetin amë, respektivisht në Tiranë. Këto raportime janë spekulime të pastra dhe qëllimkëqija”, ka thënë ky zyrtar i lartë në kushte anonimiteti.
Sipas tij, Pacolli vazhdon të pres në Tiranë për t’u rikthyer në atdhe.
Pacolli kishte shprehur interesim që të vinte në Kosovë për të marrë pjesë në votimin e qeverisë së re e cila pritet të ndodhë gjatë kësaj jave, por atij i ishte thënë se do t’i nënshtrohej karantinës për 14 ditë siç i bëhet secilit qytetar kosovar që kthehet nga jashtë shtetit për në Kosovë.
Pacolli si deputet i Kuvendit të Kosovës nuk ishte pajtuar me këtë duke thënë se ai për dy muaj ka qenë i izoluar në shtëpinë e tij në Lugano të Zvicrës dhe ka paraqitur edhe dokumente të lëshuara nga mjekët për këtë. Ai pretendon se është i sigurt se nuk është i infektuar me coronavirus, dhe është e paarsyeshme që të mbahet i izoluar në Kosovë për 14 ditë. Për më shumë Pacolli e ka quajtur diktaturë qeverinë Kurti, e cila po ja kërkon këtë, duke mos i lejuar që ta kryejë punën e tij si përfaqësues i popullit.
Pas gjithë kësaj, Pacolli kishte vendosur që me avionin e tij privat të ateronte në Tiranë dhe jo në Prishtinë.
Por atij sërish i duhej që ta kalonte kufirin dhe aty do ta priste policia, e cila sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, do të mund ta detyronte që të karantinohej për 14 ditë në konviktet në Prishtnë. /Ballkani.info/







