Kthimi i kundërligjshëm i Nexhat Krasniqit në Ministrinë e Infrastrukturës, Prokuroria nis hetimet

Kthimi në Ministrinë e Infrastrukturës, i Nexhat Krasniqit, nëntorin e vitit të shkuar, në pozitën e Shefit të Prokurimit, po dyshohet se është bërë jashtëligjshëm.

Për këtë, siç merr vesh Gazeta Online ‘Reporteri.net’, me burime, Prokuroria e Shtetit dhe Krimet Ekonomike kanë nisur një hetim, tash e disa javë.

Krejt kjo pasi rasti u iniciua nga rrjeti i organizatave AVONET, që shkeljet e supozuara në rastin e kthimit të të njohurit si “Baba i Tenderëve” përveç në Polici e Prokurori i denoncuan edhe tek Kryeministri, Albin Kurti, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu e Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.


Në shkresën mbi të cilën u nis hetimi në fjalë, e që në prill të këtij viti iu përcoll edhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, AVONET thekson se Nexhat Krasniqi është i dënuar për korrupsion me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës. Madje, në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, “Babës së Tenderëve”, kjo gjykatë i ka ndërprerë marrëdhënien e punës si shërbyes civil, pas dënimit të shqiptuar për korrupsion.

Përveç Krasniqit, siç merr vesh Reporteri.net, hetimi përfshin edhe të paktën 4 zyrtarë tjerë shtetërorë që dyshohet se kundërligjshëm mundësuan kthimin në punë të shefit të Prokurorimit, përfshirë këtu edhe sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqin.

Prokuroria e Shtetit e kontaktuar nga gazeta, deri në momentin e publikimit të artikullit nuk është përgjigjur në pyetjet e nisura rreth këtij rasti. Derisa, Policia e Kosovës thonë se nuk kanë autoritet të flasin për këtë.

E për Nexhat Krasniqin, përkundër disa insistimeve, nuk kanë folur as në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, që aktualisht udhëhiqet nga Liburn Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtarët e VV-së, përfshirë Ministren aktuale të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishin qenë të zëshëm dikur në Kuvend për Nexhat Krasniqin që e konsideronin si “Baba i Krimit”.

Ndryshe, Nexhat Krasniqi më 21 shtator 2015 ishte dënuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Dënimi atij i ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit, e më 2 mars 2017 u bë i plotfuqishëm pasi u mbështet edhe nga Gjykata Supreme.

Mbi bazën e aktgjykimit në fjalë, Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, Nexhat Krasniqit i është shqiptuar masa disiplinore “Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil”.

Në nenin e shpallur thuhej se “Nëse nëpunësi civil shpallet fajtor dhe dënohet për kryerje të veprës penale, autoritetet kompetente administrative detyrohen që nga ato elemente të vendimit të gjykatës kompetente, që përbëjnë shkelje të parimeve dhe të rregullave administrative, duhet të urdhërojnë shkarkimin e nëpunësit civil”.