“Krytë ta heki”, “legen”, “qenef”, “përfaqësuese e Serbisë” – krejt çfarë ndodhi sot në seancën e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës sot ka zhvilluar një nga seancat më dramatike, ku për pak sa deputetët nuk u rrahën mes vete.

Seanca nisi qetë në fillim me pyetjet e deputetëve, por nuk vonoi shumë dhe u ‘ndez’, pasi fjalën e mori ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kryediplomatja adresoi kritika të ashpra në drejtim të partisë më të madhe opozitare, PDK-së, duke drejtuar gishtin tek kjo parti për jetësimin e Gjykatës Speciale, pasi ditëve të fundit deputetë të këtij subjekti, kishin kërkuar nga kryeministri Kurti ta shkarkojë për një deklaratë të dhënë vite më pare, ku kishte pohuar se do të dërgonte material tek Specialja, kur të formohet.

Gërvalla tha se fajtore pse ekziston Specialja dhe pse krerët e UÇK-së janë në Hagë është PDK-ja, pasi ata e votuan këtë gjykatë.

“Gjykata Speciale, mos më pengoni, s’është e instaluar nga Serbia, Gjykata Speciale është e instaluar nga ju, pse është e instaluar nga ju, sepse, ju ju vetëm që nuk e keni luftuar, por s’keni ndërmarrë asgjë për gjykimin e krimeve të pasluftës, por, ju jeni munduar, kështu ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë, dhe ju jeni ata që e keni bërë të mundur atë, dhe ju e keni votuar Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli, ky koalicion s’e ka krijuar atë. Ju merrni me sajime, gënjeshtra, pikërisht ju jeni përgjegjës që prijësit e juaj ndodhën në Hagë, mos i mashtroni votuesit tuaj, ju e di që ju keni kohë, por ne nuk kemi”, tha Gërvalla.

I menjëhershëm ishte reagimi i shefit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili e quajti Gërvallen përfaqësuese të Serbisë në Kosovë.

“E nderuar ministre sot na e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka nevojë me u marr me Republikën e Kosovës sepse të ka aty në Kosovë, në krye të diplomacisë së Kosovës. Ti je turpi i diplomacisë së Kosovës. Me dal dhe me thanë që Serbia nuk e ka bërë Gjykatën Speciale është turpi më i madh. Ajo gjykatë është bërë me fakte të sajuara nga qeveria serbe. Dil kërkoju falje qytetarëve dhe atyre që janë atje të akuzuar. Sepse kjo gjykatë është bërë nga njerëz si ju dhe nga dëshmi të juve. Sot nuk ka nevojë Daçiqi me fol sepse është Donika Scwarz sepse atë tjetrin pom vjen marre me ta përmend. Ti sot më shumë ngjason me ambasadorin e Serbisë në Kosovë sesa me ministren e punëve të Jashtme”, reagoi ashpër Tahiri, shkruan Reporteri.net.

Bojkoti i seancës nga opozita

Pas përplasjes së kryediplomates me PDK, erdhi “përplasja” e partive opozitare, LDK-së e PDK-së me kryesuesen e seancës, Saranda Bogujevci.

Ky veprim erdhi pas një debati që pati shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, me kryesuesen Saranda Bogujevci të cilën e kritikoi Bogujevcin për pabarazi ndaj deputetëve, duke thënë se Kuvendi është i deputetëve dhe aty flasin ata.

“Ta keni parasysh që ky Kuvend ëështë i deputetëve. Këtu flasin deputetët. Deputetët duhet të jenë të barabartë e ju po i leni ministrat me folë 10 minuta e deputetët po i leni 2 minuta. Është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe unë po ua lexoj nenin 48 të rregullores”, tha Gashi.

Ndërsa Gashi fliste nga ulësja e tij, Bogujevci ia ndali fjalën, çka bëri që deputetët e LDK-së të braktisin punimet e seancës.

Nuk vonoi shumë dhe nga salla u largua edhe PDK-ja, ku Abelard Tahiri, tha se Bogujevci si kryesuese e seancës ka degjeneruar punimet.

“Fatkeqësisht kryesuese ju degjeneruat me seancën e mbajtur sot, ti je nuk je ajo që na tregon çka me folë, e degjenerove seancën, ne do ta lëshojmë sallën. Kërkojmë që kryesia të mblidhet sa më shpejt, ti mo mos me mbajt seancën, pakujdesia juaj në këtë karrige e degjeneroi seancën. Kjo është e papranueshme, ne do ta lëshojmë sallën”, tha Tahiri.

“Përleshja” e fyerja mes deputetëve të PDK-së e VV-së – përfshihen edhe ministra

Ndërsa deputetët e PDK-së, po dilnin nga salla, aty ndodhi përplasja më e madhe.
Së pari nisën përplasjet nga distanca mes dy deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi e Ardian Kastratit me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.

Deputeti Kastrati e ka ofenduar ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin duke e quajtur “legen” dhe “qenef”.

Më pas situata shkoj drejt eskalimit, pasi në një moment deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, e shtyu ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe këtu u “ndez” dhe më shumë situata.

Momenti më tensionues ishte përplasja mes po deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, i cili i tha deputetit të Vetëvendosjes, Besim Muzaqi “krytë ta heki”.