Kreu i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme, e cila urdhëroi KQZ-në të certifikojë Listën Serbe, duke hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryeziu theksoi se zhvillimi demokratik i një vendi matet me respektimin e lirive dhe funksionimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicat.
Ai theksoi rëndësinë e integritetit zgjedhor dhe të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, duke vlerësuar vendimin si një hap pozitiv për ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë.
E plotë:
Gjykata Supreme ka marrë vendim për të urdhëruar KQZ-në të certifikojë Listën Serbe, duke hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Zhvillimi demokratik i një vendi nuk matet me numrin e votave që fiton, por me respektimin e lirive dhe funksionimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe komunitetet pakicë. Vendimi i Gjykatës Supreme tregon edhe një herë se shoqëria kosovare, pavarësisht veprimeve e politikave ditore, tensioneve politike, ka arritur të ndërtojë disa standarde që garantojnë ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë.
Integriteti zgjedhor dhe e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë standardet bazë të një vendi demokratik.






