Kryeziu ‘vajton’ rrëzimin e Qeverisë Kurti, thotë se Kuvendi nuk përfaqëson qytetarët

Zëdhënësi për media i Qeverisë Kurti, Përparim Kryezu është deklaruar lidhur me rënien e kësaj Qeverie për të cilën thotë se u rrëzua në Kuvend kundër vullnetit të qytetarëve, me vullnetin e të cilëve u ngrit kjo Qeveri.

Duke publikuar rezultatet e raportit “Pulsi Publik 18” nga UNDP, ku thuhet se niveli i kënaqshmërisë së regjistruar me punën e Kryeministrit është 65.4%, kurse me punën e Kryetares së Kuvendit ka arritur në vlerën rekord prej 72.4%, Kryeziu theksoi se 2/3 e deputetëve në Kuvend rrëzuan Kryeministrin dhe Qeverinë që sipas tij e aprovojnë 2/3 e qytetarëve.

“Qeveria Kurti, ndonëse në detyrë dhe në përballje me një krizë të trefishtë – shëndetësore, ekonomike dhe politike – ka aprovimin e 60.7% të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci legjitimiteti buron nga qytetarët kurse jetëgjatësia e qeverisë varet nga aprovimi i tyre për punën e saj. Qeveria Kurti u ngrit me pëlqimin dhe mbështetjen e qytetarëve, kurse u rrëzua në kuvend kundër vullnetit dhe pa aprovimin e tyre. 2/3 e deputetëve në kuvend rrëzuan Kryeministrin dhe Qeverinë që e aprovojnë 2/3 e qytetarëve. Kë përfaqëson kuvendi sot? Qytetarët jo”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij në Facebook.

Ndërkaq, lidhur me këtë raport të publikuar nga United Naion Development, program ky i Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar vendet e varfra dhe vendet në zhvillim, së fundmi ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka publikuar raportin në Twitter, ku tutje ka thënë se duhet të lexohet patjetër, veçanërisht në situatën aktuale.

“Absolutisht duhet të lexohet, veçanërisht në situatën aktuale.
Nivelet e besimit në institucionet përkatëse, ndjenja ndaj korrupsionit, rekrutimi i bazuar në merita në sektorin publik, etj flasin vetë. Statistikat flasin”, ka shkruar Heldt në Twitter.

Sipas këtij raporti, intervistat janë zhvilluar përmes telefonit si pasojë e situatës pandemike kudo në botë, COVID-19, me gjithsej 1306 intervistues.

Në raport, paraqitet gjendja e kënaqshmërisë e të gjitha institucionet të vendit si dhe të liderëve politik për punën që e kanë kryer dhe janë duke e kryer.