Kryeziu thotë se nga PZAP-ja priten vendime të drejta e jo të favorshme për dikë

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka thënë se PZAP-ja është institucion i përbërë nga gjykatës të cilët vendosin çështjet zgjedhore për të cilat ka mosmarrëveshje, e prej të cilëve priten “vendime të drejta” e jo “vendime të favorshme”.

Sipas tij, nga vendimet e këtij organi nuk mund të jenë të gjithë të kënaqur.

“Prandaj, nga vendimet e PZAP-së dikush mund të ndjehet humbës ose fitues, e për pasojë jo të gjithë mund të jemi të kënaqur. Secili vendim i PZAP-së përmban dhe emrat e panelit gjyqësor, por ekspozimi i emrave të tyre në publik përmes komunikatave partiake, konsiderojë se janë formë e presionit që u bëhet këtyre penalistëve për të bërë punën e vetë në mënyrë të pavarur dhe me integritet”, ka shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka ushtruar për herë të tretë ankesë në Gjykatë Supreme lidhur me pakot me fletëvotime nga bashkatdhetarët që, siç thotë kjo parti, “i dërguan me kohë fletëvotimet e tyre”. Kjo, pasi PZAP ka refuzuar kërkesën e tyre për të vlerësuar këto fletëvotime.

Gjithashtu edhe organizata GERMIN është ankuar në Supreme për mosnumërimin e 1,806 pakove me fletëvotime nga diaspora nga ana e KQZ-së.

loading…