Kryeziu huazohet te Kriensi në kategorinë e dytë

Reprezentuesi i Kosovës, Mirlind Kryeziu për pjesën e mbetur të këtij edicioni do të luajë në kategorinë e dytë të Zvicrës. Ai është huazuar te skuadra e Kriensit nga Zuerichu, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin deri në vitin e ardhshëm. Kryeziu është huazuar te Kriensi për shkak të minutazhës së vogël që ka pasur këtë edicion te Zuerichu, ku ka regjistruar vetëm një paraqitje në Superligë.

Te Kriensi, ekip që po lufton për të mbetur në kategorinë e dytë edhe sezonin tjetër, e shohin qendërmbrojtësin 24-vjeçar si përforcim të duhur.

“Me ardhjen e Mirlindit, mendoj se e kemi kompletuar ekipin për pjesën e mbetur të këtij edicioni. Kryeziu do të na ofroj stabilitet të mbrojtje dhe gjithashtu do të jetë i rrezikshëm në zonën kundërshtare në luftën në ajër”, ka thënë drejtori sportiv i Kriensit, Bruno Galliker.

Kriensi, aktualisht zë vendin e tetë në tabelën e Challenge League me 17 pikë të mbledhura, tri më shumë se Chiasso që renditet i fundit pas 20 xhirove të luajtura. Kryeziu si futbollist është rritur në akademinë e Zuerichut kurse pjesë e ekipi të parë është prej vitit 2017.