Kryetarja e Gjykatës Supreme të Holandës, Dineke de Groot, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të trajtohet përmes mekanizmave që ofron sistemi ligjor.
De Groot ka thënë për KosovaPress-in se është në dijeni të aktgjykimit dhe ndikimit që ai ka shkaktuar në Kosovë. Megjithatë, ajo ka theksuar se nuk i takon të komentojë përmbajtjen e vendimit gjyqësor.
“Mësova për të dhe e di se si po ndikon këtu në Kosovë. Besoj se ju të gjithë së bashku do të mund të reflektoni në një mënyrë që i shërben sundimit të ligjit. Brenda sistemit ka shumë mundësi për të reflektuar mbi këtë vendim dhe është e rëndësishme që kjo të bëhet”, deklaron De Groot.
Kryetarja e Supremes së Holandës ka nënvizuar rëndësinë e shfrytëzimit të mundësive ligjore në rastet kur një vendim gjyqësor konsiderohet i padrejtë.
Sipas saj, kundërshtimet ndaj vendimeve gjyqësore duhet të shprehen dhe të trajtohen brenda kornizës së sistemit të drejtësisë.
“Nuk më takon mua të komentoj mbi gjykimin, por është e rëndësishme të theksohet se, sa herë që dikush mendon se një vendim nuk është i drejtë, është e rëndësishme që kjo të thuhet në shtetin tuaj dhe të shfrytëzohen mundësitë që ofron sistemi ligjor”, thotë De Groot.
Më 16 shtatorit 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Sipas vendimit të shkallës së parë, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u dënua me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Trupi gjykues i shpalli fajtorë për ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Në të njëjtën kohë, katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues konstatoi se Prokuroria nuk kishte arritur të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në procedurën e apelit.
Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor, ndërsa ekipet e tyre mbrojtëse kanë kundërshtuar konstatimet e trupit gjykues.







