Kryetarja e partisë që Gërvalla e quante partnere të LVV-së| Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte gabim

Kryetarja e partisë së majtë në Gjermani, “Die Linke”, Janine Wissler, e cila kishte garuar për kancelare pas largimit të Angela Merkel, ka thënë se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë gabim.

Në një intervistë për mediumin gjerman, “Taz”, Wissler është pyetur lidhur me qëndrimin e partisë së saj ndaj NATO-s, pas raportimeve se subjekti i saj dëshiron krijimin e një sistemi sigurie që përfshin edhe Rusinë, përcjell Demokracia.com.

Këtu ajo ka përmendur edhe Kosovën, duke thënë se lufta në Ukrainë e ka ndryshuar tërësisht situatën e sigurisë në Evropë dhe se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte gabim.

“Kjo luftë, natyrisht, ndryshoi tërësisht situatën e sigurisë në Evropë. Por, kjo nuk e ndryshon faktin që luftërat e agresionit të NATO-s, për shembull në Kosovë apo nga shtetet anëtare të NATO-s në Irak, ishin të gabuara dhe pas përfundimit të konfrontimit të bllokut, një urdhër i përbashkët paqeje me qëllim çarmatimin dhe mossulmimin do të ishte e nevojshme në vend të një zgjerimi të aleancës ushtarake të NATO-s. Një rend global i paqes dhe çarmatimi mbeten të nevojshme. Fatkeqësisht, kjo është shumë larg për momentin”, ka thënë ajo.

Kjo parti e majtë gjermane, jo rrallëherë është përmendur në Kosovë, pasi që kohë më parë edhe Lëvizja Vetëvendosje bënte thirrje që të votohej, në mënyrë që të merrte pushtetin ajo në Gjermani.

Për këtë arsye, në vitin 2017, LVV-ja kishte marrë një reagim të ashpër nga ministrja që sot e ka vendosur vetë në pushtet, kryediplomatja Donika Gërvalla-Schwarz, përcjell Demokracia.com.

Kjo e fundit, para pesë viteve, siç duket nuk e kishte paramenduar se një ditë do të bashkëpunojë me Albin Kurtin dhe do të bashkëqeverisë me të.

Kështu, ajo i kishte reaguar Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sipas saj, e ka partner në Gjermani partinë e majtë “Die Linke”.

“Hahahahaha. VV të gjitha sfidat në Kosovë i paska kry e tash po na tregon se kë duhet të votojnë shqiptarët në Gjermani. Të dashur shqiptarë me të drejtë vote në Gjermani. Votoni kë t’jau marrë mendja, por kujdes, mos votoni partnerin e VV-së në Gjermani, partinë e majtë “Die Linke”, kishte thënë Gërvalla.

Madje, kjo e fundit edhe vetë kishte lënë të kuptohet se “Die Linke” nuk e përkrahë ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, përcjell Demokracia.com.

Vlen të theksohet se edhe një deputete tjetër e kësaj partie, gjatë vitit të kaluar mbajti një fjalim kundër Kosovës në Bundestagun gjerman.

Bëhet fjalë për Zaklin Nastiq, e cila e kishte quajtur Kosovën “shtet artificial” dhe “bastion i terroristëve të ISIS-it në Evropë”.

“Rezultati 22 vjeçar i vendosjes ushtarake, që filloi nga një agresion luftarak që dhunoi ligjin ndërkombëtar, nga qeveria gjermane e atëhershme dhe NATO, krijoi shtetin artificial të Kosovës duke shkelur rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara”, kishte thënë ajo.

Sa i përket qeverisjes së re gjermane, kancelari gjerman Olaf Scholz është treguar mjaft i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ditë më parë, ai konfirmoi se e përkrahin integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian, ndërsa Gjermania ka bërë të ditur se do të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.