Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani nuk ka qenë në dijeni për dënimin e deputetit Etem Arifi

Artan Murati, përfaqësuesi i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se kjo e fundit nuk ka pasur informata lidhur me vendimin për dënimin e deputetit Etem Arifi.

Murati në seancën e Gjykatës Kushtetuese, tha se Osmani ishte informuar për një vendim të tillë vetëm më 29 prill, nga mediat.

“Siç jeni në dijeni kryetarja nuk ka dorëzuar komente me shkrim në këtë rast. Në momentin e parë që kemi dëgjuar se Etem Arifi është dënuar nga Gjykata kemi marr veprimet e nevojshme. Më 29 prill Osmani është vënë në dijeni për media që Etem Arifi është dënuar, Të nesërmen Osmani i ka dërguar letër Hasan Shalës kryetar i Gjykatës së Apelit, pasi Kuvendi nuk është njoftuar fare nga gjykata për këtë. Ka kërkuar nga Shala t’i përcillet aktgjykimi i Arifit dhe të gjitha të dhënat. Më 30 prill i ka shkruar dhe kryesuesit të Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj. KGJK ka dërguar aktgjykimet në forma elektronike,. Më 4 maj Gjykata e Apelit ka dërguar në formë të shkruar”, ka thënë Murati.

Ndryshe, aktualisht po zhvillohet seanca publike në Gjykatë Kushtetuese ku do të diskutohet për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi në seancën ku u votua Qeveria në krye me Avdullah Hotin.

Seanca ka nisur në orën 10:00 dhe për shkak të pandemisë, po zhvillohet online.