Kryetari: Po mbajmë premtimet e dhëna për studentët

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e dy konvikteve të tjera në Qytetin Studenti, përkatësisht godinat 9 dhe 10.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se po mbahen premtimet e dhëna për përmirësimin e kushteve të studentëve në “Qytetin Studenti”.

Bashkia e Tiranës ka vijuar punën për rikonstruksionin e dy godinave të tjera në Qytetin Studenti, ato 9 dhe 10, duke e çuar në 8 numrin e konvikteve ku po punohet në këto rezidenca studentore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj teksa inspektoi punimet në dy godinat e vajzave, tha se rikonstruksioni po kryhet në kushte të vështira për shkak se në godina ka ende studentë.

Erion Veliaj, kreu i Bashkisë së Tiranës: Jam shumë i lumtur që shikoj se si vlon puna në Qytetin Studenti. Kemi filluar me dy godina të reja. Për t’ju dhënë një ide, dy godina kanë 180 dhoma. Do të thotë që rikonstruksioni i një godine studentore është thuajse i barabartë me rinovimin e një hoteli. Kur shikon që hoteleve private u duhen 2-3 vite ta sjellin në terezi një rikonstrukison, këtu po punojmë realisht në kushte spartane, dhe me një rendiment të jashtëzakonshëm.

Me nisjen e punimeve në këto dy konvikte, Veliaj theksoi se përmbushet një premtim i dhënë pak javë më parë për rikostruksionin e godinave në Qytetin Studenti

Erion Veliaj: Me dy konviktet e reja të gocave, jemi mbi atë që kishim premtuar.. Dua të kujtoj që sot protesta ka mbaruar, sot bojkoti ka mbaruar, debati ka mbaruar.

Por, nuk ka mbaruar zelli ynë për të mbajtur çdo pikë të “Paktit me Universitetin”. Për sa kohë që kryeministri, kryetari i bashkisë, qeveria, autoritetet vendore, morën përsipër dhe dhanë fjalën, edhe zelli i punimeve është vërtetimi i faktit që vazhdon përtej lajmit të ditës. Kështu që, do të jemi këtu edhe kur ndoshta të harrohet i gjithë ky debat, dhe gjithë ky diskutim. Sepse fjala e dhënë duhet mbajtur.

Deri më tani Bashkia e Tiranës njofton se falë edhe ndihmës së donatorëve të ndryshëm ka nisur rikonstruksionin e 8 godinave të konvikteve./abcnews.al