Spiriq

Kryetari ilegal i Mitrovicës ankohet, thotë se edhe dy ditë do të mbesin pa ngrohje

Kryetari paralel i Mitrovicës, Aleksandar Spiriq thotë se ngrohtorja e qytetit e cila i furnizon me nxemje çerdhet, shkollat si dhe konviktet e studentëve brenda dy ditësh do të mbetet pa mazut.

Sipas tij, nëse nuk zgjidhet problemi, ngrohtorja do të jetë e detyruar ta ndërpresë punën.

Spiriq ka thënë se mundësia që ngrohtorja ta ndërpresë punën, është brengë shtesë për qytetarët në veri të Mitrovicës, transmeton Ballkani.info.

“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur, që në kohën sa më të shkurtër, me ndihmën e ministrive përkatëse, ta zgjidhim këtë problem”, thotë “kryetari ilegal”.

Serbët në veri që nga vendosja e taksës për mallrat serbe, po propagandojnë më të madhe se ata po përballen me krizë humanitare, gjë që është hedhur poshtë në vazhdimësi nga pushteti në Prishtinë. /Ballkani.info/