Ilir Peci
Kryetari i Zveçanit deshi të shkojë në Banjskë, s’e lejoi Policia e Kosovës
Mëngjesin e sotëm pas disa të shtënave me armë zjarri në fshatin Banjskë të Zveçanit ka mbetur i vrarë një polic i Kosovës. Përveç tij, një ka mbetur i plagosur dhe një i lënduar.
Për këtë çështje ka folur për Express zëdhënësja e komunës së Zveçanit, Diellza Uka.
Ajo tha se situata në Zveçan është ende e tensionuar, duke bërë të ditur se kryetari Ilir Peci ka kërkuar të shkojë afër vendit të ngjarjes, mirëpo nuk i ka lejuar Policia.
Sipas Ukës, ky refuzim është bërë me arsyen se vizita e Pecit atje, mund të nxisë provokime.
“Sa jeni të informuar ju, jemi edhe na. D.m.th. situata është njëjtë, bajagi e tensionuar, të shtënat nuk po ndalen, sidomos në pjesën ku ka ndodhur atentati ndaj policëve tanë. Ne kërkuam nga Policia me shku me vizitu atë pjesë në atë fshat, por nuk na lejuan. Ne ishim më herët në QKUK ku e vizituam të plagosurin, Albanin. Deshtëm me shku edhe në Banjskë, por s’na lejuan për shkak të situatës së tensionuar dhe sipas policisë dhe njerëzve të sigurisë është problem kryetari të kalojë andej sepse mundet me nxit provokime”, tha Uka.
Pak më parë Policia e Kosovës ka njoftuar se njëri nga sulmuesit e vrarë.
“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, thuhet në komunikatën e Policisë.