Kryetari i Vitisë: Karantina po na shkakton probleme në furnizim me ushqim

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka folur për gjendjen në këtë komunë, e cila është në karantinë që një javë. Në Viti, deri tani janë konfirmuar shtatë raste me koronavirus.

Në një prononcim për Express, Haliti ka thënë se gjendja është e qetë dhe se dje janë furnizuar me pako ushqimore dhe pajisje mbrojtëse.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të rrijnë në shtëpi, meqenëse disa prej tyre thotë se po dalin në shëtitore.

“Gjendja ështe e qetë. I kemi dezinfektu me shkolla, ambullanta e kisha. Kjo futja në karantinë na ka shkaktu probleme për furnizim me ushqim. Dje i kemi pranu 200 pako ushqimore, si dhe na i kanë sjellë disa maska, syze e dorëza. Po u bëjmë apel qytetarëve në vazhdimësi që të qëndrojnë Brenda e të mos e rrezikojnë shëndetin, se disa po dalin në shtëtitore”, ka thënë Haliti.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus. Aktualisht, numri i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë është 24.

Pozitiv në koronavirus ka dal një grua 53 vjeçe nga Suhareka dhe një 43 vjeçar nga Gjakova.

“Sot me 20.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 77 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe dy prej tyre janë pozitive. Të dy rastet pozitive janë raste kontakti, njëra prej tyre, me vendbanim në Suharekë ,e gjinisë femër, 53 vjeçare dhe tjetri me vendbanim në Gjakovë i gjinisë mashkullore i moshës 43 vjeçare. Nga data 08.02.2020 deri me 20.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 417 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e katër raste kanë rezultuar pozitive.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.

IKSHP’ja edhe një herë ka bërë thirrje për të qëndruar në shtëpi.

Edhe mikrobiologu Lul Raka ka kërkuar nga qytetarët që të jenë shumë të disiplinuar, pasi tani por sipas tij po futemi në dy javët vendimtare për jetë e më të dashurve tanë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës. Po futemi në dy javët vendimtare për jetët e më të dashurve tanë. Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet disiplina dhe kujdesi”, ka shkruar Raka në Tëitter.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.

“Fatin e përballjes e keni në duart tuaja, ju lutem rrini në shtëpi”, ka shkruar Raka në rrjetin social.