Kryetari i SBASHK-ut: Bahtiri s’ka qenë në Kosovë, kur mësimdhënësit paraluftës kanë mbajtur mësim nën kërcënime

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ia ka kujtuar Kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, se ai nuk ka qenë këtu para luftës, kur mësimdhënësit janë përballur me kërcënime të ndryshme nga okupimi në atë kohë dhe nën atë presion ata kanë mbajtur mësim.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, më herët iu ka bërë thirrje mësimdhënësve që ta rishikojnë formën e kërkesës së tyre për rritje të pagave, në mënyrë që t’i japin fund grevës dhe t’ia fillojnë punës që nga e hëna. Në të kundërtën, sipas tij, Komuna e Mitrovicës do të kërkojë staf mësimor vullnetar për ta mbajtur mësimin në shkolla. Por, kjo deklaratë e tij ka irrituar mësimdhënësit dhe ka nxitur reagimin e kryetarit të SBASHK-ut, i cili ka paralajmëruar edhe padi ndaj kreut të Komunës së Mitrovicës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Zyra Ligjore e tyre është duke parë mundësinë e ngritjes së një padie ndaj kryetarit Bahtiri, nëse ky i fundit nuk kërkon falje dhe nuk tërheq këtë deklaratë që ka bërë.

“SBASHK-u është duke u marrë me deklaratën e tij. Fillimisht po merremi me vërtetësinë e deklaratës. Ju them që fillimisht që kjo deklaratë ka irrituar të gjithë mësimdhënësit në Kosovë, po ashtu dhe në Mitrovicë. Ia kujtoj kryetarit Bahtiri se ai nuk ka qenë këtu para luftës, ku mësimdhënësit janë përballur me kërcënime të ndryshme nga okupimi në atë kohë dhe nën atë presion ata kanë mbajtur mësim”, ka thënë Jasharaj.

“Uroj që kryetarët e tjerë mos të bëjnë deklarata të tilla. Bahtiri bashkë me kryetarët tjerë duhet të angazhohen për t’i përkrah mësimdhënësit. Mësimdhënësit ka kush t’i mbrojë. Kryetari Bahtiri do të përballet të hënën në gjykatë. Më e mira është që ai të tërhiqet nga kjo deklaratë, përndryshe Zyra jonë do të përgatisë padi ndaj tij në Gjykatë”, ka thënë Jashari, duke shtuar se greva nuk mund të mbyllet me presione të tilla.