Kryetari i Parlamentit Evropian zemëron kroatët dhe sllovenët: Istra dhe Dalmacia janë italiane

Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani i ka zemëruar kroatët dhe sllovenët me deklaratën e fundit.

“Rroftë Triesta, rroftë Istra italiane, rroftë Dalmacia italiane”, ka thënë Tajani.

Ai gjatë ceremonisë së shënimit të Ditës së kujtimit të Bazovicit, Istrën dhe Dalmacinë i ka quajtur italiane.

“Rroftë Trista, rroftë Istra italiane, rroftë Dalmacia italiane”, ka thënë Tajani në fjalimin e tij në ceremoninë e kujtimit të viktimave të ekzodit nga Istra, Rijeka dhe Dalmacia, transmeton Ballkani.info.

Gazetari dhe profesori kosovar, Milazim Krasniqi shkruan në faqen e tij në Facebook, se edhe vetë kreu i Parlamentit Evropian ka kërkuar tokat që Italia pretendon se i ka në Kroaci e Slloveni.

Ja çfarë shkruan Milazim Krasniqi:

Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, ka bërë një deklaratë shokuese, e cila dëshmon se loja me kufij e me histori është e rrezikshme edhe për shtetet që janë anëtare të BE-së.

Deklarata e tij: “Rroftë Trieshta, rroftë Istra italiane, rroftë Dalmacia italiane” është thirrje për revidimin e kufijve, për revidimin e historisë.

Në Slloveni dhe në Kroaci janë të indinjuar nga thirrjet e tij. Ai tipi u mundua ta zbusë qëndrimin më vonë, por mbetet e vërteta e hidhur se populistët dhe fashistët duan të kthejnë në Evropë konfliktet e vjetra.

Duket se kjo është arsyeja që disa shtete evropiane e përkrahin shkëmbimin e territoreve mes Serbisë e Kosovës, pra, që ta kenë pretekst për pretendimet e tyre. Gishtin kokës, o njerëz!