Kryetari i Odës Ekonomike kritika të ashpra për partitë politik: I bënë të pavlera masat anti-Covid

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj tubimeve elektorale që po organizohen në hapësira të mbyllura nga subjektet politike, ku me pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve po shkelen masat anti-Covid.

Rukiqi e quan të pakuptimtë ndalimin e ahengjeve dhe ngjarjeve të tjera, derisa nëpër restorante mblidhen dhjetëra persona.

“Tubimet e fundit elektorale, me dhjetëra persona në hapësira të mbyllura, i bëjnë të pavlera, të gjitha masat kufizuese, për parandalimin e pandemisë”, thotë Rukiqi, përmes një postimi në Facebook.

Më tej ai pyet se “si mund të arsyetohet, tash e tutje, ndalesa për organizimin e ahengjeve dhe ngjarjeve?” .

“Si mund të arsyetohet kufizimi i orarit të punës?? Politikanët edhe qytetaret e tjerë janë të barabartë para ligjit. Hipokrizi e llojit të vet është që të njëjtit që premtojnë sundim te ligjit, të vazhdojnë natën dhe ditën të shkelin ligjin”, ka thënë Rukiqi.

Edhe kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka reaguar i cili ka thënë se për shkelje të masave anti-Covid deri tash janë shqiptuar 5000 dënime për gastronomët e asnjë për politikanët. Këtë e ka cilësuar si veprim me standarde të dyfishta.

Lexo po ashtu:

Kryetari i Gastronomëve të Kosovës: Mbi 5,000 dënime për gastronomët, asnjë për politikanët për mosrespektim të masave anti-COVID
Kryetari i Gastronomëve të Kosovës: Mbi 5,000 dënime për gastronomët, asnjë për politikanët për mosrespektim të masave anti-COVID
Ndërsa, Adonis Tahiri, drejtor i Inspeksionit në Prishtinë, ka thënë se ligji dhe masat anti-Covid vlejnë për të gjithë, andaj do të shqiptohen gjoba prej 2,000 euro për secilin subjekt politik që do të mbajë tubim elektoral në Prishtinë.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, thotë se s’do të lejohet që inspektorët dhe Policia të sfidohen në këtë formë nga subjektet politike.

Ndërsa, subjektet politike edhe sot, pa u penguar nga askush, kanë vazhduar të mbajnë takime parazgjedhore me elektoratin e tyre, duke mos respektuar masat anti-Covid.