Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave dhe komenteve që, sipas tij, sulmojnë familjen Haradinaj.

Përmes një postimi publik në rrjete sociale, Ndreu ka ironizuar akuzat ndaj familjes Haradinaj, duke thënë se “ka ardhur fundi i botës” kur një familje që ka dhënë shumë për kombin cilësohet “shërbëtore e serbëve”.

Ai ka kritikuar ashpër ata që, sipas tij, përdorin rrjetet sociale për të sulmuar figura dhe familje që kanë kontribuar për çështjen kombëtare.

“Lajthitja e disa shqiptarëve është sëmundje që s’ka profilaksi! Vaj vatani e mjerë mileti!”, ka shkruar Ndreu.

Më tej, ai ka shprehur krenarinë për familjen Haradinaj, duke theksuar se ajo “nuk kurseu asgjë për atdheun”, ndërsa ka sulmuar atë që i quan “sharlatanë të ditës”, të cilët sipas tij bëhen “trima” në rrjete sociale.

Reagimi i Ndreut ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale dhe në opinionin publik.