Kryetari i KQZ-së në Shqipëri: Besoj se zgjedhjet e nesërme do të jenë të mira si ato të Kosovës

Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e nesërme të zgjedhjeve parlamentare.

Ai për Klan Kosovën ka deklaruar se beson që procesi zgjedhore do të shkojë mirë nesër sikurse ai në Kosovë më 14 shkurt të këtij viti.

“Mund ta them me siguri se janë marrë të gjitha masat sa i përket pikëpamjes organizative, teknike dhe rregullatore, që nesër procesi zgjedhor të zhvillohet i qetë pa asnjë problem. Kam besim se zgjedhjet e nesërme do të jenë të mira dhe të krahasueshme me zgjedhjet e fundit të Kosovës”.

Celibashi ka folur edhe për votimin elektronik që do të zhvillohet vetëm në kryeqytetin e Shqipërisë. Ai ka theksuar se ky është një pilotprojekt që i përfshin 32 qendra vendvotimit të Tiranës.

“Votimi elektronik do të zhvillohet vetëm në një zonë të Tiranës, në zonën që i përket njësisë bashkiake, në zonën numër dhjetë. Ky është pilotprojekt që përfshin 32 qendra vendvotimi dhe në rang kombëtar do të bëhet vetëm identifikimi elektronik i votuesve”.

Kryetari i KQZ-së ka pohuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë rreth organizimit dhe monitorimit të ditës së nesërme.

“Në mënyrë të vazhdueshme dhe periodike, thuajse çdo orë jemi në kontakt me institucionet e sigurisë, kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Deri në momentin që flasim tani, nuk kemi identifikuar ndonjë incident të rëndë,mendoj se kështu do të jetë dhe nesër”.

Po ashtu edhe materiali zgjedhor është shpërndarë në pjesën më të madhe të vendvotimeve.

” Ky material zgjedhor është i shpërndarë, përfshirë fletëvotimet dhe materialet kancelarike, janë shpërndarë pothuajse në pjesën më të madhe të qendrave të votimit. Në disa qendra të vendvotimit shpërndarja ka implikuar një kohë të madhe për shkak të vështirësive të terrenit”, ka thënë Celibashi.