Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka zgjedhur sot kryesinë e re të partisë që do të drejtohet nga Lumir Abdixhiku. Krahasuar me kryesinë e vitit 2021 kur Abdixhiku e kishte marrë partinë, vërehen disa ndryshime.
Tek nënkryetarët, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri e Anton Quni mbesin të pandryshuar, ndërkohë që janë shtuar edhe Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica-Xhelili, secili me detyra specifike. Në vitin 2021 nënkryetare ka qenë edhe Shqipe Mjekiqi, por kjo e fundit ka ndarë rrugët me LDK-në.
Tek sekretarët, Imri Ahmeti mbetet i pandryshuar, ndërkohë që atij i është bashkuar edhe Sokol Haliti. Ahmeti është emëruar Sekretar i Përgjithshëm, ndërkohë Haliti do të jetë Sekretar i Degëve Jashtë.
Forumin e Gruas do të drejtojë Jehona Lushaku Sadriu. Nga viti 2021 këtë forum e kishte drejtuar Lirije Kajtazi. Ndërkohë që Paris Guri do të jetë kryetar i Forumit Rinor duke e pasur në këtë post Fidan Rekaliun.
Në kryesi nuk do të jenë emra të vjetër të cilët kanë kontribuar dhe kanë ushtruar aktivitetin e tyre në LDK prej vitesh. Emri i Faton Bislimit natyrshëm nuk ndodhet në kryesinë e re pas përplasjeve me Lumir Abdixhikun dhe përpjekjes së tij për të kandiduar për kryetar. Aty nuk janë as Lutfi Zharku, Safet Kamberi, Valon Murtezaj, Fadil Krasniqi dhe Brikenda Kryeziu.
Një ndër emrat e rinj të përfshirë në kryesinë e re është edhe ai i Ruzhdi Shehut, kryetarit aktual të Junikut. Shehu, në zgjedhjet e kaluara lokale, arriti që të fitojë në bastion disavjeçar të AAK-së, duke e mposhtur në balotazh Agron Kuçin.
Emrat tjerë të kryesisë së re janë: Alush Gashi, Berat Rukiqi, Visar Azemi, Visar Berisha, Mirjeta Kalludra, Izet Sadiku, Ema Nikçi Rexha, Behgjet Xheladini, Besnik Osmani dhe Florian Dushi. /Ballkani.info/







