Kryetari i fshatit Stubëll: Jemi model i ndërprerjes së përhapjes së koronavirusit

Kryetari i fshatit Stubëll të Vititsë, Marjan Ramaj, i është gëzuar lajmit për shërimin e pacientit të parë të prekur me koronavirus në vendin tonë, i cili është nga ky fshat.

I moshuari, tashmë i shëruar së bashku me bashkëshorten, i janë kthyer familjes në shtëpi të tyre.

“E kemi mirëpritur kthimin e tyre në shtëpi pas hospitalizimit dhe ky fakt na inkurajon pasi ata u kthyen shëndoshë e mirë”, ka thënë Ramaj në Klan Kosova.

“U munduam që këtë hallkë të infeksionit ta ndërpresim, që të mos ketë të infektuar të tjerë, dhe ia dolëm”.

“Në Stubëll kishim 7 të prekur. Pra është i moshuari, bashkëshortja e tij dhe familjarët. Të shëruar janë tre persona dhe të tjerët presim që ta bëjnë testin e fundit, meqenëse gjendjen e kanë të mirë dhe po presim që të dalin mirë. Nuk ka persona me gjendje të rënduar dhe ky është lajm që na gëzon dhe inkurajon. Ne edhe me tutje do të vazhdojmë me respektimin e rregullave”.

“Jeta në Stubëll tash është pak më e qete. Fillimi ishte shumë i vështirë se ishim të parët që u prekëm. Kurse tash është krejt ndryshe dhe është mirë”.

“Nga institucionet qendrore fatkeqësisht në fillim kemi pasur pak ndihmesë, e nga ato lokale jemi organizuar në forma si kemi mundur. Kemi pasur kërkesa në ditët e para, se ishim në mungesë të maskave dhe rrobave mbrojtëse për personelin shëndetësor, por në atë kohë disi u gjendëm edhe me doreza e pajisje të tjera”.

“Qytetarët janë shumë përgjegjës dhe është një shembull që të mos përhapet virusi tek të tjerët. Apeli ynë është që të gjithë t’i respektojnë këto masa dhe besoj që ne jemi një model i mirë që edhe të tjerët ta marrin, dhe këtë gjendje ta tejkalojnë ashtu si e bëmë edhe ne”, u shpreh Ramaj.