Kryetari i Ferizajt pranon humbjen, ia uron fitoren Lëvizjes Vetëvendosje!

Dje qytetarët e vendit tonë shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar.

Në zgjedhjet e përkohshme parlamentare fituese doli Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe në Komunën e Ferizajt partia e udhëhequr nga Albin Kurti arriti të jetë dominuese më 34,33 për qind, duke lënë kështu pas edhe PDK-në me 27,45 për qind, subjektin politik që e udhëheq këtë komunë, shkruan Indeksonline.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook ka thënë se fituesi i zgjedhjeve është i qartë, ndërsa Lëvizjes Vetëvendosje i ka uruar punë të mbarë.

Ky është postimi i plotë:

Tash kur kutitë e votimit janë në fund të numërimit dhe fituesi i zgjedhjeve është krejt i qartë, përgëzoj ferizajasit dhe gjithë qytetarët e Kosovës që dje, në një proces zgjedhor shembullor, duke reflektuar kulturë të lartë e qytetari, masivisht, shprehën vullnetin e bindjen politike. Verdikti i shumicës nxorri fituese të këtyre zgjedhjeve – Lëvizjen Vetëvendosje!, së cilës i uroj punë të mbarë e suksese të përbashkëta në drejtimin e vendit.

Faleminderit të gjithë burrave e grave, aktivistëve e simpatizantëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj e më gjerë, që dje pakursim dhanë më të mirën për forcën tonë politike. Bashkë, do të rikthehemi edhe më fuqishëm!

Na priftë e mbara!

loading…