Kryeministri

Kryetari i Dragashit i kërkon “ndihmë urgjente” Kurtit

Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti ndihmë urgjente për të riparuar rrugët të cilat janë dëmtuar nga vërshimet e djeshme që pati në këtë komunë.

Kryeministri Kurti të enjten vizitoi fshatin Kuk të Dragashit, i cili është prej vendeve më të dëmtuara nga vërshimet e djeshme.

Kryetari i Dragashit ka thënë se veç fshatit Kuk, janë dëmtuar edhe shtatë fshatra të tjera, por siç ka thënë ai, në përmasa më të vogla.

Xheladini kërkoi nga Kurti që të mos pritet vendimi i Komisionit për vlerësimin e dëmeve, por “Qeveria të na japë një ndihmë urgjente pasi riparimi i rrugëve nuk pret”.

Ai e falënderoi Kurtin që vizitoi fshatin Kuk.

Kryeministri Kurti, sipas njoftimit të Kryeministrisë, i falënderoi institucionet lokale për angazhimin e tyre dhe ofroi ndihmën e tij dhe të institucioneve qendrore në tejkalimin e rimëkëmbjen nga dëmet e shkaktuara, për të cilat do të ketë vlerësim adekuat nga komisioni përkatës. 

“Qeveria do të jetë pranë jush dhe pranë qytetarëve”, u shpreh ai.