Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiq është ankuar për tokën e manastirit duke thënë se po konfiskohet prona dhe po ndërtohet një autostradë pranë saj.
Janjiq ka thënë se prapa komunës së Deçanit që nuk po e kthen tokën e manastrit edhe pas vendimit të gjykatës qëndron Ramush Haradinaj.
“Prapa komunës së Deçanit, janë klanet më të fuqishme në këtë pjesë të Kosovës nën ndikimin e fortë të Ramush Haradinajt dhe qëllimi është që të merret prona e manastirit dhe të ndërtohet një autostradë pranë saj”, i ka thënë Janjic mediumit rus Sputnik me seli në Serbi.
Janjiq, ka deklaruar se verdikti është dhënë nga Gjykata Supreme më 2012 dhe Gjykata Kushtetutese e ka konfirmuar katër vjet më vonë por që prona ende nuk i takon Manastirit në kadastër.
Mirëpo, kësaj deklarate të Janjiq i është kundërvënë ashpër kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.
“Njeriu që në etapa të ndryshme e tejet të rëndësishme, e mbrojti dhe u kujdes për Manastirin s’mund të jetë pengesë”, ka reaguar Ramosaj, duke aluduar në mbrojtjen që Haradinaj i ka bërë Manastirit.
Sipas Ramosajt, Sava Janjiq, duhet të thotë të vërtetën dhe të jetë i përgjegjshëm në deklarimet e tij, të mos bëjë politikë në emër të Kishës.
“Ne kemi dëshmuar vullnet të përhershëm në mbrojtjen e vlerave Shtetërore”, ka shkruar Ramosaj në fund. /Ballkani.info/







