Kryetari i “Dardanëve” për “rrahjen” në FFK: Isha prezent, me përgjegjësi të plotë ju them se nuk ka pasur asgjë

Në mediat kosovare sot kanë qarkulluar raportime se brenda selisë së Federatës së Futbollit të Kosovës ka pasur një rrahje. Sipas raportimeve, thuhej se kryetari i FFK-së, Agim Ademi e ka sulmuar fizikisht njërin nga prej punëtorëve të administratës, Artan Govorin.

Këto raportime i ka përgënjeshtruar shtëpia e futbollit kosovar si dhe kreu i saj, Agim Ademi. FFK-ja në sqarimin e tyre thonë se mes tyre kishte vetëm debat të zakonshëm të natyrës së punës në federatë.

Në selinë e FFK-së nuk ka ndodhur kurrfarë sulmi fizik, siç raportohet në media, por thjesht ka qenë një debat i zakonshëm për natyrat e punës brenda federatës. Janë stafi i FFK-së dhe dëshmitarë tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet kur aludohet se ka pasur sulm fizik, e që në fakt ka qenë vetëm një debat”, thuhet në sqarimin e FFK-së.

Ndërkohë, edhe policia e konfirmoi se ka pranuar informatë për një rast sulmi në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast u intervistua edhe pala ankuese, Artan Govori që pretendon se është sulmuar nga kreu i FFK-së.

Sidoqoftë, në momentin kur aludohet se ka pasur sulm fizik në institucionin më të lartë të futbollit kosovar ka pasur edhe dëshmitarë.

Njëri nga ta ishte edhe kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha.

Berisha në një prononcim për Demokracia.com tha se e gjitha ka qenë një inskenim dhe nuk bëhet fjalë për sulm fizik brenda selisë së FFK-së.

Nuk ka ndodhur asgjë. Unë kam qenë prezent aty. Këto janë diçka që nuk mundem me imagjinu që ka këso njerëz që inskenojnë gjëra. Me përgjegjësi të plotë e them se nuk ka pasur asgjë. Rastësisht kam qellu dhe nuk e mbrojë askënd, por e vërteta është kjo”, deklaroi Berisha për Demokracia.com.

Govori në një deklaratë pas intervistimit në stacionin policor tha se kryetari Ademi ja ka vendosur dorën në qaf dhe se ka gërvishje në sy.

Këto pretendime të Govorit i ka hedhur poshtë i pari i “Dardanëve”, Berisha.

Jo. E them me përgjegjësi të plotë se nuk ka pasur asnjë kontakt fizik. As kapje për fyti e asgjë tjetër. Betohem”, shtoi Berisha për gazetën.