“Mirëdita, Dobar dan”

Kryetari i Beogradit nuk jep pëlqimin për shfrytëzimin e hapësirave publike për festivalin “Mirëdita, Dobar dan”

Fillimi i festivalit të njëmbëdhjetë “Mirëdita, Dobar dan!”, i cili tradicionalisht organizohet në Beograd dhe Prishtinë që nga viti 2014, është paralajmëruar për 27 qershor.

Vitin e kaluar u mbajt në Prishtinë, ndërsa këtë vit po organizohet në kryeqytetin serb. Shpallja e festivalit u pasua me njoftimin e kryetarit të Autoritetit të Përkohshëm të Qytetit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, i cili tha se qyteti nuk do të japë pëlqim për shfrytëzimin e asnjë zone publike për qëllime të festivalit.

Njoftimi për festivalin e organizuar nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR, Serbi), Iniciativa Qytetare (CI, Serbi) dhe Integra (Kosovë) erdhi në fillim të kësaj jave.

Në kuadër të ngjarjeve të 27, 28 dhe 29 qershorit janë planifikuar shfaqje filmash, shfaqje, debate, me inicimin e çështjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë si me të kaluarën ashtu edhe me të ardhmen në kohëra që paraqesin sfidë të madhe për shoqërinë kosovare dhe serbe, është kumtuar nga organizatorët.

Tijana Gjukniq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se ky festival është një mjet i fuqishëm për promovimin e pajtimit.

“Mirëdita, Dobar dan është një platformë unike për shkëmbim kulturor, si dhe dialog për çështje kritike që shmangen dhe neglizhohen. Shkëmbimi kulturor është një mjet i fuqishëm për promovimin e pajtimit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe për tejkalimin e hendekut midis dy kulturave dhe ne ftojmë të gjithë të bashkohen me ne në këtë përpjekje”, ka thënë ajo.

Hapja zyrtare e festivalit është paralajmëruar për 27 qershor, në ora 19:30 në “Sheshin Dorçol” me shfaqjen e dramës “Babai dhe Babai”, dramë e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, me regji të Kushtrim Koliqit.

Ditën e nesërme është planifikuar një debat me titull “Normalizimi i ndalimit ose ndalimi i normalizimit: pengimi i shkëmbimit kulturor”. Siç është paralajmëruar, programi debatues i festivalit do të trajtojë çështjet që kanë të bëjnë me shkëmbimin kulturor ndërmjet shoqërisë kosovare dhe serbe, si dhe ndalesat dhe pengesat në kuadër të bashkëpunimit kulturor, akademik dhe artistik, si dhe zgjidhjen e pasojave afatgjata të luftë.

Në formacionin e festivalit të sivjetmë është edhe filmi “Vera Dream of the Sea” i regjisores kosovare Kaltrina Krasniqi. Filmi debutoi në Festivalin e Filmit të Venecias, dhe më vonë fitoi çmime në festivalet e filmit në Tokio dhe Goteborg, si dhe në “Festivalin e Filmit Zonë e Lirë” të Beogradit.

Shfaqja e filmit është paralajmëruar në “Koska Bar” (Dobraçinë 59) të shtunën, më 29 qershor, me fillim nga ora 19:30.