Erden Atiq

Kryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut i merr nënshkrimet, i ka tre ditë për t’ia dorëzuar KQZ-së

Mbi 4 mijë qytetarë në Mitrovicën e Veriut e kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq, rreth 500 më shumë sesa numri i nevojshëm.

Këtë për Express e ka konfirmuar kryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin. Ai tha se ka tri ditë kohë që t’ia dorëzojë nënshkrimet KQZ-së.

“I kemi pranuar në orën 13:00, grupi iniciues e ka dërguar komplet dokumentacionin e peticionit. Numri i përgjithshëm i nënshkrimeve është 4148. Tash kam afat tri ditë, sipas udhëzimit administrativ, që t’ia dorëzoj KQZ’së”, tha Uglanin.

KQZ kishte njoftuar se 20 për qind e votuesve në Mitrovicë të Veriut janë 3 mijë e 640 qytetarë.

Mbledhja e nënshkrimeve ka përfunduar edhe në tri komunat tjera. Sipas përllogaritjeve të KQZ’së, në Leposaviq 2.689 qytetarë duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit. Ndërkaq, në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues. E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

Kryetarët e kuvendeve të katër komunat në Veri, kanë kohë tri ditë që t’ia dërgojnë nënshkrimet KQZ’së. Nëse KQZ konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Për t’u shkarkuar kryetarët duhet të jenë 50 për qind plus një votë pro.

Nëse arrihet rezultati i nevojshëm për shkarkimin e kryetarëve, presidentja Osmani duhet që brenda 30 deri 45 ditëve të shpallë zgjedhjet e përkohshme.

Katër komunat në Veri shkuan në zgjedhje pasi kryetarët e atëhershëm dhanë dorëheqje. Zgjedhjet që u shpallën më 23 prill u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga qytetarët serbë dhe fitues dolën kandidatët shqiptarë.

Hyrja e tyre në objektet komunale nxiti shumë pakënaqësi te banorët serbë, të cilët protestuan dhunshëm duke lënduar pjesëtarë të KFOR-it, Policisë e gazetarë.